RTSH 24 Live

Kosova

Serbët lirojnë pikat kufitare në veri të Kosovës

01/08/2022

Serbët lirojnë pikat kufitare në veri të Kosovës

Serbët lirojnë pikat kufitare në veri të Kosovës. Tashmë është larguar edhe kamioni që ndodhej mbi urën, afër pikëkalimit kufitar në Bërnjak, i vendosur nga serbët për ta bllokuar atë pjesë segmenti rrugor. Qarkullimi i makinave ka nisur mbi urë, ndonëse me vështirësi.

Në rrugë po qëndrojnë edhe njësitë e Policisë së Kosovës, të cilat po përkujdesen për rendin. Të gjithë kamionët që ndodheshin në rrugën që të shpie për në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak janë larguar sot në mesditë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi më 1 gusht se në “muaji i ardhshëm duhet të shfrytëzohet për marrëveshje dhe diplomaci”, teksa ka komentuar bllokadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme serbe, Vulin ka porositur serbët në Kosovë se “nuk duhet t’i besojnë Prishtinës dhe duhet t’i besojnë Serbisë së tyre dhe presidentit Aleksandar Vuçicc”. Ai tha se nuk pret asgjë nga Prishtina, por pret që Bashkimi Evropian – nën ndërmjetësimin e së cilit u arritën dy marrëveshje për formimin e Asociacionit – të formojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që të vendosë reciprocitet për targat dhe dokumentet serbe, tensionoi situatën në veri të vendit. Një ditë më parë veç trazirave dhe bllokimit të rrugës, u raportua dhe për të shtëna me armë zjarri në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se takimi me Vuçiçin që do të bëhej më 19 korrik, është shtyrë. Sipas tij, Vuçiç e bëri këtë shtyrje për t’u përgatitur për tensionet që ndodhën dje në veri të Kosovës.

Zhvillimet e fundit në veri të vendit, kanë bërë që sot të mblidhen në një takim krerët e shtetit të Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e MPJD-së , Donika Gërvalla, si dhe ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla kanë realizuar takim më qëllim të vazhdimit të koordinimit ndërinstitucional në lidhje me zhvillimet e fundit në vend. Në takim mungonte opozita.

“Në takim ishin të ftuar edhe liderët e opozitës të cilët nuk kanë marrë pjesë. Megjithatë, institucionet e vendit do të vazhdojnë kontaktet e rregullta dhe konsultimet me opozitën, me qëllim të koordinimit mbi çështje të interesit nacional”, thuhet në njoftimin për media.

/rtsh.al/