RTSH 24 Live

Kosova

Serbët bllokojnë rrugët në veri, përshkallëzohet situata, deputeti serb bën thirrje për luftë

31/07/2022

Serbët bllokojnë rrugët në veri, përshkallëzohet situata, deputeti serb bën thirrje për luftë

Sitata në veri të Kosovës duket se është përshkallëzuar pasditen e sotme. Marrëveshja e reciprocitetit për njohjen e targave, e cila do të sjellë njohjen e targave, që hyn në fuqi në 1 gusht (këtë të hënë), ka bërë që situata në veri të Kosovës të përshkallëzohet, pasi serbët nuk bien dakord. 

Me anë të një postimi në twitter, Vladimir Gjukanoviç, një deputet në Asamblenë Kombëtare të Serbisë nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, shkruan se ai beson se Serbia mund të detyrohet të përfshihet në “denazifikimin” e Ballkanit.

“Më duket se Serbia do të detyrohet të fillojë denazifikimin e Ballkanit. Do të doja të gaboja”, ka shkruar Gjukanoviç.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit. Besim Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për REL se është vendosur një bllokadë edhe në Rudarë të Zveçanit, përkatësisht në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica. Hoti po ashtu tha se bllokadë është vendosur edhe në fshatin Zupqë, që gjendet në afërsi të magjistrales Bërnjak-Mitrovicë.

Policia e Kosovës bëri të ditur se ka mbyllur kufirin për qarkullimin e udhëtarëve dhe për automjetet në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak. "Njoftohen të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim", deklaron policia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se po u lutet përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për paqe. Gjatë një konference për mediat sot në Beograd, Vuçiç tha se ai po përpiqet që t’u kërkojë të gjithëve, përfshirë serbëve në Kosovë, që të mos bëjnë asgjë që mund të çojë në konflikt. "Por, unë kërkoj edhe nga përfaqësuesit e vendeve të fuqishme dhe të mëdha që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të marrin parasysh ligjin ndërkombëtar dhe situatën në terren… Ne po bëjmë lutje për paqe dhe kërkojmë paqen”, tha Vuçiç.

/rtsh.al/