RTSH 24 Live

Kosova

Senati amerikan miraton ligjin për t’u përballur me kërcënimin teknologjik nga Kina

09/06/2021

Senati amerikan miraton ligjin për t’u përballur me kërcënimin teknologjik nga Kina

Me 68 vota pro dhe 32 kundër senati amerikan miratoi të martën një ligj gjithëpërfshirës që synon të rrisë aftësinë e vendit për të konkurruar me Kinën në fushën e teknologjisë.

Nevoja për një linjë të ashpër në marrëdhëniet me Kinën është një nga pikat e pakta me mbështetje dypartiake në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të përçarë thellësisht, i cili kontrollohet me një epërsi të vogël nga demokratët e presidentit Joe Biden.

Ky ligj autorizon rreth 190 miliardë dollarë fonde për të forcuar teknologjinë dhe hulumtimet amerikane, dhe do të miratojë shpenzime të veçanta prej 54 miliardë dollarësh për të rritur prodhimin dhe hulumtimet e kompanive amerikane në fushën e prodhimit të gjysmëpërçuesve dhe pajisjeve të telekomunikacionit, duke përfshirë 2 miliardë dollarë për çipe të përdorur nga prodhuesit e automjeteve. Industria e prodhimit të makinave është ndeshur me mungesa masive të çipave dhe ka bërë shkurtime të konsiderueshme të prodhimit.

Disa kritikë e kanë krahasuar përpjekjen e Senatit me atë të zhvillimit të teknologjisë së lartë industriale të Kinës, të quajtur “Prodhuar në Kinë 2025”, e cila zemëroi për një kohë të gjatë Shtetet e Bashkuara.

Projekt-ligji gjithashtu kërkon t’i kundërvihet rritjes së ndikimit global të Pekinit përmes diplomacisë, duke punuar me aleatët dhe duke rritur angazhimin e Shteteve të Bashkuara në organizatat ndërkombëtare pas agjendës “Amerika e Para” të ish-Presidentit Republikan Donald Trump.

Projekt-ligji duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe më pas do të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë për të marrë nënshkrimin e Presidentit Biden./A2