RTSH 24 Live

Botë

Sekretari i mbrojtjes: Mbretëria e Bashkuar nuk synonte të shqetësojë Francën me paktin AUKUS

21/09/2021

Sekretari i mbrojtjes: Mbretëria e Bashkuar nuk synonte të shqetësojë Francën me paktin AUKUS

Sekretari britanik i mbrojtjes, Ben Wallace, tha se Mbretëria e Bashkuar nuk synonte të shqetësojë Francën me partneritetin e sapoformuar me SHBA-në dhe Australinë.

Duku iu përgjigjur lidhur me partneritetin e mbrojtjes, të quajtur AUKUS, në Dhomën e Përfaqësuesve, Wallace tha se SHBA-ja dhe Franca janë aleatë të ngushtë të Mbretërisë së Bashkuar.

"Britania dhe Franca për shumë çështje janë bashkuar, në armët komplekse, antiterrorizëm, Afrikë. Dhe, në të vërtetë, së fundmi, padyshim në vende si Iraku dhe Siria. Nuk ka absolutisht asnjë qëllim këtu nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për të pakësuar, për të mërzitur apo për të krijuar një çarje midis nesh dhe Francës ", tha Wallace para ligjvënësve.

Ai shtoi se nuk "fshihet diçka pas shpine" dhe se në thelb ishte e drejta e Australisë për "të zgjedhur një aftësi ndryshe dhe ajo e bëri".

Franca shprehu zhgënjimin e saj pasi një kontratë prokurimi i nëndetëseve shumë miliarda dollarësh u anulua nga Australia për të nënshkruar paktin AUKUS me Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në, me qëllim për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore.

Franca thirri ambasadorët e saj në Washington dhe Canberra për konsultime.

Ndërkohë, ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly, po ashtu ka anuluar bisedimet që priteshin këtë javë në Londër me sekretarin Wallace pas anulimit të marrëveshjes së nëndetëseve, që ishte me vlerë prej 66 miliardë dollarësh.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, u tha gazetarëve në New York se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë "marrëdhënie shumë të rëndësishme dhe të pathyeshme".

"Sigurisht, ne do të flasim me të gjithë miqtë tanë se si ta bëjmë paktin AUKUS të funksionojë në mënyrë që mos të jetë përjashtues apo përçarës dhe me të vërtetë nuk duhet të jetë kështu", tha Johnson.

Sipas kryeministrit britanik, kjo është vetëm një mënyrë që Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Australia "të ndajnë teknologji të caktuara sepse kjo është gjëja e arsyeshme për të bërë në botën ku ndodhemi".

"Po kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se ne dëshirojmë të jemi kundërshtarë të dikujt tjetër ose ekskluziv ose të largojmë dikë tjetër jashtë", tha Johnson./AA