RTSH 24 Live

Ekonomi

Sejko: Nuk ndryshon norma e interesit, inflacioni pritet të shkojë në objektiv në 2024

01/02/2023

Sejko: Nuk ndryshon norma e interesit, inflacioni pritet të shkojë në objektiv në 2024

Banka e Shqipërisë nuk ka ndryshuar sërish normën e interesit dhe këtë e argumenton me faktin se ekonomia vijoi të rritet edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022.

Guvernatori Gent Sejko tha se norma bazë e interesit do të jetë 2.75%, ndërsa shtoi se deri në fillim të 2024 pritet ulja e inflacionit drejt objektivit të synuar prej 3 %.

“Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mos ndryshojë qëndrimin e politikës monetare. Ky vendim faktorizon reduktimin e inflacionit brenda dhe jashtë vendit në muajin nëntor, si dhe na mundëson një rivlerësim të shpejtësisë së normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, në funksion të respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe të ruajtjes së ritmeve pozitive të rritjes ekonomike. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rritje të lehtë në muajin tetor dhe një reduktim të moderuar në muajin nëntor. Normat respektive të inflacionit në këto dy muaj ishin 8.3% dhe 7.9%. Në këndvështrimin e shportës së konsumit, ecuria e inflacionit në këto dy muaj u përcaktua nga rënia e çmimit të naftës dhe të kostove të transportit, si dhe nga luhatje në kahe të kundërta të çmimeve të artikujve ushqimorë. Inflacioni i artikujve të tjerë të shportës shfaqi luhatje më të pakta. Gjithsesi, me përjashtim të çmimit të energjisë elektrike, norma e inflacionit të thuajse të gjithë artikujve të shportës mbetet në nivele të larta historike dhe shfaq shenja të qarta ndikimi nga goditja e huaj. Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit. Megjithatë, në ngjashmëri me tremujorin e dytë, ritmi i rritjes ekonomike ka shfaqur shenja ngadalësimi, si pasojë e pasigurive për të ardhmen, e rritjes së kostove të prodhimit dhe e reduktimit të kërkesës së huaj. Këto pasoja janë shfaqur në formën e shtrenjtimit të faturës së importeve, si dhe të një ecurie më të ngadaltë të investimeve private e publike”, tha Sejko.

Rritje ka shënuar edhe punësimi, ku guvernatori Sejko tha se punësimi u rrit me 4.2%, shkalla e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6% dhe paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.3% në tremujorin e tretë.

“Përkundrejt tyre, tregu i punës në tremujorin e tretë shfaqi një ecuri mjaft pozitive. Punësimi në ekonomi u rrit me 4.2% në terma vjetorë, norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6%, ndërkohë që paga mesatare në sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 12.4%. Kjo ecuri dëshmon se kërkesa agregate në vend mbetet solide, e mjaftueshme për të gjeneruar rritje punësimi dhe pagash. Ajo ilustron, po ashtu, faktin se bazat e rritjes ekonomike të vendit janë relativisht të shëndetshme”, tha Sejko.

Në analizat e bëra nga Banka e Shqipërisë, Sejko tha se se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim gjatë dy viteve të ardhshme.

“Projeksionet tona të skenarit bazë, sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim gjatë dy viteve të ardhshme. Inflacioni pritet të shënojë një pikë kthese gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024. Ky parashikim bazohet në reduktimin e pritur të inflacionit në ambientin botëror, në reduktimin progresiv të efekteve të raundit të dytë në vend, si dhe në ruajtjen e normave pozitive të rritjes ekonomike gjatë periudhës në vijim. Rritja ekonomike pritet të mbetet e moderuar edhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm dhe të konvergojë gradualisht drejt normave të saj historike në periudhën në vijim, duke ofruar një raport më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës në vend”, tha Sejko.

Si përfundim Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%.

/rtsh.al/