RTSH 24 Live

Ekonomi

Sejko: BSH, çdo veprim për të ruajtur qëndrueshmërinë e inflacionit

23/09/2022

Sejko: BSH, çdo veprim për të ruajtur qëndrueshmërinë e inflacionit

Banka e Shqipërisë ka reaguar nëpërmjet politikës monetare duke rritur normat e interesit 3 herë deri tani nga niveli më i ulët prej 0.5% në shkurt 2022 në 1.75% në gusht 2022, për të drejtuar pritjet inflacioniste dhe për të siguruar konvergimin e inflacionit me objektivin, brenda një perspektive afatmesme.

Kjo u bë e ditur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën me temë “A është rikthyer inflacioni dhe në cilën formë?” të mbajtur pranë Institutit të Studimeve të Larta, Gjenevë, Zvicër.

Sejko tha se ekonomia shqiptare u rikuperua shpejt nga goditjet negative të shkaktuara nga bllokimet dhe kufizimet ekonomike të lidhura me pandeminë, brenda dhe jashtë vendit.

Ndërsa fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë ndryshoi rrënjësisht pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë dhe perspektivën ekonomike, dhe çoi në rritje të inflacionit, nga 0.9% në tremujorin e parë të 2021 në një normë mbi objektivin prej 3.1% në tremujorin e fundit të 2021.

Në vijim, Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare në Bankën e Shqipërisë ka qenë dhe do të vazhdojë të drejtohet nga tre parime.

Së pari, ai theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për të ndërmarrë çfarëdo veprimi që kërkohet për të ruajtur qëndrueshmërinë e inflacionit.

Po ashtu, pa cenuar stabilitetin e çmimeve, BSH do të përpiqet të shmangë goditjet e panevojshme monetare të aktivitetit ekonomik, gjë që do të kërkojë një analizë të kujdesshme të prirjeve të çmimeve duke marrë parasysh kohëzgjatjen e gjatë të mekanizmit të transmetimit.

Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë do të përpiqet të bashkërendojë politikën monetare me politikën fiskale.

Së fundi, Guvernatori nënvizoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e kujdesshme për shëndetin e sistemit bankar dhe financiar duke u fokusuar në mbikëqyrjen bankare dhe në ndërmarrjen e politikave proaktive.

Diskutimet e kësaj konference u përqendruan në çështje të tilla, si: ndryshimi i ecurisë së inflacionit, roli i bankave qendrore në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, ndikimi i konfliktit në Ukrainë në zinxhirët e furnizimit në ekonomi. Konferenca shqyrtoi gjithashtu sfidat me të cilat përballen bankat qendrore në trajtimin e këtyre situatave të reja.