Situata konfuze që është krijuar, lidhur me pengesat që vijon të krijojë Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht duke bllokuar edhe Shqipërinë, në procesin për anëtarësimin në BE, ka bërë që Gjermania të reagojë në mbështetje të Ballkanit Perëndimor.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë një komenti për gazetarët përpara takimit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një mundësi reale për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian, pasi kanë punuar shumë për shumë vite për të përmbushur kushtet për hyrjen në bllok.
"Qytetarët në Ballkanin Perëndimor, kanë pritur për gati 20 vjet mundësinë për t'u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Është shumë e rëndësishme që ky të bëhet një premtim i besueshëm, sepse përpjekjet e shumta që këto vende kanë ndërmarrë duhet në fund të çojnë në pranimin e tyre”, tha kancelari, duke shtuar se Gjermania do të punojë drejt këtij qëllimi.
/rtsh.al/