RTSH 24 Live

Rajon

Scholz kërkoi njohjen e Kosovës, Vuçiç: Askush nga BE s’ka thënë që njohja reciproke është qëllimi i dialogut

10/06/2022

Scholz kërkoi njohjen e Kosovës, Vuçiç: Askush nga BE s’ka thënë që njohja reciproke është qëllimi i dialogut
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç

Çështja e Kosovës dhe njohja e reciproke e saj me Serbinë ka qenë një pikë e nxehtë diskutimi mes kancelarit gjerman Olaf Scholz me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Pas Prishtinës, kancelari zhvilloi një vizitë disa orë në Beograd ku dha mesazhin e qartë se Gjermani kërkon njohjen reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, që Beogradi të ecë para me integrimi. Kjo deklaratë ka habitur jo pak Vuçiç, i cili tha se këtë kërkesë e kishte dëgjuar vetëm nga SHBA dhe asnjëherë nga BE. Ai tha qëllimi i dialogut nuk ka qenë kurrë njohja reciproke, megjithatë shtoi se Serbia është gati ta rifitojë atë në çdo kohë.

 “Nuk kemi dëgjuar asnjëherë nga vendet e Bashkimit Evropian që njohja reciproke të kërkohet si qëllim i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Askush nuk ka folur ndonjëherë për njohje reciproke, përveç amerikanëve që e miratuan atë doktrinë saktësisht tre vjet më parë. Nëse mendoni se duhet të na kërcënoni sepse ne po përpiqemi të ruajmë rendin e Kombeve të Bashkuara ose sepse duam të arrijmë një zgjidhje kompromisi, ne nuk kemi asgjë kundër. Mos u zemëroni që qëndrimi ynë ndaj Kosovës është i ndryshëm nga i juaji. Aq sa ju e doni integritetin territorial të Ukrainës, serbët e duan integritetin territorial të Serbisë”, tha Vuçiç.

Scholz tha se qëndrimi i Gjermanisë për çështjen e Kosovës është i qartë dhe i njohur prej vitesh dhe pret progres në dialogun mes dy vendeve.

"Shpresoj se do të marrim një raport për këtë progres. Hap pas hapi, të dyja palët duhet të kontribuojnë në të dhe janë përgjegjëse për të mos bllokuar asgjë, për të mos shtyrë takimet dhe për të bërë një sërë hapash të vegjël që do të çojnë në qëllimin përfundimtar", tha Scholz.

Kancelari gjerman ka nisur më 10 qershor turneun e tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke vizituar fillimisht Kosovën dhe më pas Serbinë. Ai do të ndalet edhe në Maqedoni e Veriut dhe Bullgari. Fokusi i bisedimeve të kancelarit Scholz do të jetë afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

/rtsh.al/