RTSH 24 Live

Aktualitet

Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” së shpejti në hapësirë, Peleshi: Nënshkruhet kontrata 6 mln dollarë  

29/09/2022

Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” së shpejti në hapësirë, Peleshi: Nënshkruhet kontrata 6 mln dollarë  

Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” do të jenë së shpejti në hapësirë, duke dhënë informacione të detajuara për të gjithë territorin e Shqipërisë. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri me dije këtë të enjte se është nënshkruar kontrata me vlerë 6 mln dollarë mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe operatorit Satellogic USA Inc SHBA, që konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, fillimisht për një periudhë 3 vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë.

Peleshi theksoi se satelitët "Albania 1" dhe "Albania 2" pritet t’i bashkohen Satellogic USA Inc në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me “Space X”, teksa shtoi se janë një sërë institucionesh që do të përfitojnë nga ky shërbim.  

 “Një  kapërcim teknologjik për Shqipërinë. Sot do të nënshkruajmë kontratën e shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit nëpërmjet agjencisë kombëtare të mbrojtjes civile dhe operatorit Satellogic USA Inc SHBA. Kjo kontratë ka vlerën 6 mln dollarë dhe konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve fillimisht për një periudhë 3 vjeçare për monitorimin e territorit të Shqipërisë. Shqipëria do ketë akses prioritar në dy nga satelitët që pritet t’i bashkohen Satellogic USA Inc në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me Space X që do të quhen Albania1 dhe Albania 2. Ky shërbim do t’i mundësojë institucioneve marrjen e imazheve satelitore. Janë një sërë institucionesh që do të marrin përdorim dhe do përfitojnë nga ky shërbim”, tha Peleshi.

Sipas Ministrit Peleshi, satelitët do të ndihmojnë për të marrë informacione që do të parandalojnë aktet kriminale.

Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur. Monitorimi i burimeve ujore, për qëllime të vlerësimit të sasisë së ujit. Duke instaluar inteligjencën artificial dalin informacione të jashtëzakonshme. Është bërë një punë e madhe në kuadrin ligjor”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama njoftoi mbi planin për të dërguar në orbitë dy satelitë gjatë një seance në Kuvend, ndërsa synimi ishte që një gjë e tillë të ndodhte brenda marsit të viti 2022. Megjithatë, tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas pandemia e COVID vonuan planin e qeverisë.

/rtsh.al/