RTSH 24 Live

Aktualitet

Satelitët “Albania 1, 2”, anulohet tenderi, shkak mosplotësimi i kritereve nga firmat e interesuara

22/06/2022

Satelitët “Albania 1, 2”, anulohet tenderi, shkak mosplotësimi i kritereve nga firmat e interesuara

Duket se do të duhet ende kohë që Shqipëria të ketë në orbitë dy satelitët e saj të shumëlakuar “Albania 1” dhe “Albania 2”. Shkak për këtë nuk është fondi i vënë në dispozicion për arritjen e këtij qëllimi, por fakti se firmat që kanë paraqitur interes nuk përmbushnin kriteret e përcaktuara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila ishte dhe prokuruesja e tenderit. Shuma e vënë në dispozicion ishte 5.522.071 euro.  

Anullimi i procedurave të tenderit është bërë publik edhe nga vetë Ministria e Mbrojtjes. Për momentin nuk një njoftim zyrtar se kur kjo procedurë do të ripërsëritet.

Kryeministri, Edi Rama, në tetor të vitit të kaluar, paralajmëroi se Shqipëria do të dërgonte në orbitë dy satelitë ‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’.

I pari parashikohej të lëshohej në mars 2022, ndërsa i dyti rreth dy muaj më pas, në qershor. Pak javë më pas kreu i qeverisë, në një reagim në Tëitter lidhur me vonesat, komentoi se ato nuk janë në dorën e tij, duke vënë theksin se nuk është hequr dorë nga plani.

“Padurim të madh paskan pasur disa për satelitët e sipas modës së re thonë ç’të duan pa pyetur fare more si është puna?! Po një gjë çuditem si nuk duan ta kuptojnë: Unë them atë që bën e bëj atë që them dhe kur vonesat s’janë në dorën time thjesht bëj durim, po zotimit s’i ndahem jo”, shkruante kryeministri.

Qëllimi kryesor i lëshimit të satelitëve në orbitë do të jetë mundësia për të kontrolluar më mirë territorin e vendit.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, 3 muaj më parë tha se satelitët do të jenë në shërbim të dikasterit që ai drejton. Sipas tij, ato do të luajnë rol jo vetëm në kontrollin e territorit për kanabis, por edhe në rast emergjencash civile.

/rtsh.al/