RTSH 24 Live

Politikë

Sarandë, Rama: Hipoteka dhe kadastra, janë bërë pasqyra e turpit të PS-së

27/05/2023

Sarandë, Rama: Hipoteka dhe kadastra, janë bërë pasqyra e turpit të PS-së

Hipoteka dhe kadastra kanë qenë sërish në qendër të kritikave të kryeministrit, Edi Rama, gjatë takimit falënderues që ai zhvilloi në Sarandë. Ky takim është pjesë e një serie takimesh që ai po zhvillon thuajse në të gjitha qarqet e vendit, pas fitores së PS-së në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Rama ka qenë i drejtëpërdrejtë në fjalën e tij, duke akuzuar zyrtarë të hipotekave dhe të kadastrave, të cilët, sipas tij, nën siglën e PS-së, e kanë bërë “zhele flamurin e PS-së”.  

“Hipoteka, kadastra, janë një problem i madh. Janë bërë pasqyra e turpit të PS-së. Njerëz që kanë vajtur të punojnë në kadastër, me emrin e PS-së, e kanë bërë zhele flamurin e PS-së. Kanë nëpërkëmbur mbështetjen dhe besimin e mijëra votuesve që votojnë PS-në”- deklaroi Rama.

Sipas tij, Saranda është bërë motorr i zhvillimit ekonomik të vendit dhe jo vetëm i vetes së saj, por, nënvizoi ai, “duhet të nxjerrim më shumë, sepse ka potenciale të pashfrytëzuara”.

Rama paralajmëroi edhe ndërhyrje të thella në Ksamil, i cili, sipas tij, “është një ndër pikat më të vizituara të Mesdheut, por që nuk është trajtuar me të gjithë forcën”.

"Kemi në plan ndërhyrje të rëndësishme në Ksamil. Por vetëm me njerzillik do bëhemi të fortë si vend dhe si shtet. Edhe pse i kemi transformuar shërbimet në Shqipëri prapë janë një pjesë që vazhdojnë të jenë me kontakt direkt dhe janë problem. Dhe po e them këtë sot për të ilustruar atë që kam parasysh me fjalën njerzillëk. Prandaj programi i çdo kryetari bashkie.”- tha Rama.

Kreu i qeverisë me këtë rast ka hedhur edhe piketat, ku, sipas tij, duhet të ecë në të ardhmen PS. Sipas tij, PS nuk është vetëm çështje organizate dhe se pas kësaj fitorje duhet bërë një hapje e madhe kësaj force politike, që tu japë mundësi të gjithëve.

"Duhet ta transformojmë PS në një komunitet të madh politik. Ti shohim si bashkëpunëtorë njerëzit që na mbështesin, jo vetëm në ditën e votimit. Falenderoj edhe ata që nuk e ndynë dorën për të vënë shenjën tek ata që kanë turpëruar Shqipërinë.“- theksoi kreu i qeverisë.

 

/rtsh.al/