RTSH 24 Live

Sociale

Sarandë, problematikë mungesa e vendparkimeve

07/04/2021

Sarandë, problematikë mungesa e vendparkimeve

Gjatë stinës së pranverës duket se shtimi i qarkullimit në dy rrugët e para të qytetit të Sarandës ku ndodhen edhe shumica e bizneseve por edhe intitucionet shteterorë, rikthen  në vëmendje problemin e mungesës së vendparkimeve. Në këto dy rrugë, shumicën e kohës, qarkullimi bllokohet nga makinat e parkuara dyshe në rrugë, gjë që shkakton edhe aksidente sipas banorëve.  

“Është problem, si nuk është problem! Njerëzit detyrohen të parkojnë sa andej-këtej sepse nuk kanë ku të lënë makinën për të marrë shërbimet, qoftë në bankë qoftë edhe në institucionet shtetërorë. Plus që këtu bllokohet qarkullimi, është edhe rrezik për aksidente”, shprehet një shofer.   

“Vajti vite ky problem në Sarandë. Mungesa e vendparkimeve është e dukshme. Disa i lënë makinat tek rruga e katërt për të zbritur më këmbë deri këtu por kjo nuk është zgjidhje”, shprehet një tjetër.   

Mungesa e vendparkimeve në Sarandë ndërkaq, nuk është problem vetëm për shoferët e automjeteve por edhe për këmbësorët që duhet të tregohen tepër të kujdesshëm kur hidhen nga një krah i rrugës në tjetrin.