RTSH 24 Live

Kosova

San Francisco: Goditen me thikë dy të moshuara aziatike në stacionin e autobusit

05/05/2021

San Francisco: Goditen me thikë dy të moshuara aziatike në stacionin e autobusit

Dy gra aziatike u goditën me thikë në mes të ditës ndërsa prisnin për një autobus në San Francisco të martën. Rreth orës 5 pasdite, policia gjeti gratë e plagosura, të cilat ishin të moshës 65 dhe 85 vjeç. Të dyja u transportuan në një spital lokal, Zuckerberg SF General. 
Njëra nga gratë, 85-vjeçarja, është identifikuar si Chui Fong Eng. Ajo kishte plagë të rënda me thikë në gjoks dhe krah, ndërsa gruaja tjetër ende nuk është identifikuar. Drew Eng, nipi i Chui Fong Eng, tha për stacionin televiziv KPIX se nuk e njihte viktimën tjetër.
Dëshmitarët okularë u shprehën në vendngjarje se një burrë me një thikë në dorë iu afrua stacionit të autobusit, goditi gratë dhe më pas u largua. Mbikëqyrësi i Qarkut 6 të San Franciskos, Matt Haney shkroi në Twitter se i dyshuari në sulm u arrestua më vonë të martën në mbrëmje. Ai është një 54-vjeçar nga San Francisco tha një zëdhënës i policisë për KPIX-TV. Identiteti i tij nuk është bërë i ditur.
Policia nuk ka dalë ende në përfundimin nëse gratë ishin në shënjestër apo nëse goditja me thikë mund të ishte një krim urrejtjeje. Departamenti i Policisë në San Francisko tregon se ka pasur një numër në rritje të sulmeve të paprovokuara ndaj aziatiko-amerikanëve në SHBA, sidomos gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në fillim të kësaj jave, dy gra të tjera po aziatike, u shtruan në spital pasi u sulmuan nga një burrë me një bllok çimentoje brenda biznesit të tyre në Baltimore. Gjithashtu këtë javë, një burrë nga Çikago u akuzua për vrasje në tentativë pasi dyshohet se goditi një grua me kamionin e tij pak momente pasi kishte bërë thirrje anti-aziatike. 
Gjatë fundjavës, dy gra aziatike ishin duke ecur në rrugë në New York City kur një e dyshuar kërkoi që të hiqnin maskat e tyre. Video e postuar nga Task Forca e Krimit të Urrejtjes së Departamentit të Policisë së New York tregoi se njëra nga gratë, një 31-vjeçare, u godit më pas me një çekiç.
Ndërkohë mijëra njerëz kanë dalë në qytete të ndryshme të SHBA-së për të protestuar me moton #StopAsianHate që nga Marsi i këtij viti pas sulmeve të njëpasnjëshme ndaj aziatkëve. (D.Mrishaj)