RTSH 24 Live

Ekonomi

Samiti i Tiranës, një histori ekonomike e BE-së

06/12/2022

Samiti i Tiranës, një histori ekonomike e BE-së

Bashkimi Evropian ka kohë që ka mbështetur partnerët e tij në Ballkanin Perëndimor në rrugët e tyre të integrimit dhe riafirmoi këtë mbështetje edhe në takimin e Tiranës. Mbështetja ishte jo vetëm sa i përket një politike të besueshme të zgjerimit, si komponent kyç i strategjisë globale të BE-së, por edhe si një investim strategjik në sigurinë dhe prosperitetin e Evropës.

Mbështetja e BE-së ndaj Shqipërisë ka dhënë e jep përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë siç janë mundësitë për të udhëtuar, për studime jashtë vendit, përmirësim gradual i qeverisjes dhe sundimit të ligjit, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal. etj

Vetëm marrëveshjet e Stabilizim Asociimit, që tanimë kanë hyrë në fuqi për të gjashtë partnerët në Ballkanin Perëndimor, janë një mbështetje e konsiderueshme për vendet e këtij rajoni.

Shqipëria ndërkohë, ka përfituar mbështetje të vazhdueshme të fortë për të ecur përpara në zbatimin e reformës gjyqësore të Shqipërisë.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, njihet mbështetja e fortë politike dhe financiare e Bashkimit Evropian për bashkëpunimin në rajon, i cili vepron si një katalizator për pajtim dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

Për Shqipërinë dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor , Procesi i Berlinit, jep mbështetje konkrete financiare për gjashtë iniciativa rajonale, duke përfshirë Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, për të nxitur zhvillimin ekonomik, për të përmirësuar lidhshmërinë dhe për të rritur sigurinë dhe shumë përfitime të tjera në të gjithë rajonin.

BE-ja mbështet iniciativën për të themeluar një zonë ekonomike rajonale, për ta bërë rajonin prej 20 milionë njerëzve, më tërheqës për investitorët, duke krijuar vende të reja pune dhe mundësi brenda rajonit.

Shqipëria është ndihmuar nga BE-ja  sa i përket tregut rajonal të energjisë.  Infrastruktura e zhvilluar dhe e lidhur e transportit dhe energjisë është vlerësuar jetike për bashkëpunimin rajonal, rritjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të reja. BE-ja po shpenzon deri në 1 miliard euro për infrastrukturën dhe ka ndarë fonde për asistencën teknike në Ballkanin Perëndimor, qysh nga Samiti i Vjenës i Procesit të Berlinit në 2015.

Ndërkohë ky institucion është donatori më i madh në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet instrumentit për asistencë para-anëtarësimit (IPA), mjeti me të cilin BE-ja mbështet reformat në 'vendet e zgjerimit' me ndihmë financiare dhe teknike.

Fondet e para-anëtarësimit të BE-së janë një investim i shëndoshë për të ardhmen e vendeve të zgjerimit dhe vetë BE-së. Shqipëria është një përfituese e drejtpërdrejtë e këtyre fondeve, ndërsa në janar të 2023 do të hapet edhe financimi i tretë i këtyre fondeve. Fondi i fundit i financuar nga BE është ai prej 80 milionë Euro për mbështetjen e krizës energjetikem ndërsa sapmiti i Tiranës do të shpalosë një tjetër mbështetje të dukshme për rajonin, por edhe për Shqipërinë.

 

/ rtsh.al /