RTSH 24 Live

Kosovë

Samiti i Paqes për Ukrainën, Begaj: Formula e Zelenskit, më e drejta. Rusia të mbajë përgjegjësi

16/06/2024

Samiti i Paqes për Ukrainën, Begaj: Formula e Zelenskit, më e drejta. Rusia të mbajë përgjegjësi

Presidenti Bajram Begaj ka bërë thirrje për një rrugë imediate drejt paqes në Ukrainë, për të ndalur tragjedinë njerëzore dhe konfliktin që rrezikon Europën e vetë botën.

Z. Begaj iu drejtua të dielën Samitit të Paqes për Ukrainën. Para liderëve botërorë të mbledhur në qytetin Burgenstok të Zvicrës, presidenti deklaroi: "Shqipëria e konsideron formulën e paqes të presidentit Volodimir Zelenski si mënyrën për të rikthyer një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Çdo proces paqeje duhet të drejtohet nga Ukraina.

Presidenti Begaj konfirmoi vijimësinë e mbështetjes për Ukrainën derisa të arrihet paqja, në përputhje me Kartën e OKB-së, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa nënvizoi faktin që Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj.

"Rruga drejt paqes nuk duhet të jetë kurrë një rrugë dorëzimi. Ajo duhet të jetë një rrugë e ndërtuar me guximin për të mbajtur lart vlerat tona," tha z. Begaj.

Fjala e plotë e presidentit Bajram Begaj në Samitin e Zvicrës

Shqipëria është e nderuar të marrë pjesë në këtë samit dhe e mbështet plotësisht synimin e tij. 

Ky samit paraqet një tubim të rëndësishëm të kombeve me qëllimin e përbashkët për të gjetur një rrugë që, nga errësira e konfliktit, të na nxjerrë drejt dritës së paqes.

Agresioni rus ndaj Ukrainës ka shkaktuar humbje të mëdha në jetë njerëzish, shkatërrime dhe zhvendosje të popullsisë.

Kjo tragjedi njerëzore na shtyn ta shohim procesin e paqes jo si një ideal të largët, por si një domosdoshmëri të menjëhershme.

Është përgjegjësia jonë të hapim rrugën drejt paqes, duke siguruar që çdo hap t’i largohet luftës dhe konfliktit.

Agresioni rus është një shkelje flagrante e parimeve themelore të Kartës së OKB-së, një shkelje e hapur e ligjeve ndërkombëtare dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian e më gjerë.

Sfida jonë është monumentale - të zhvillojmë një kuadër për një marrëveshje të ardhshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

Është jetike që këto shtete të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore brenda kufijve ndërkombëtarisht të njohur.

Shqipëria e ka dënuar fuqishëm agresionin rus. Ne mbajmë një qëndrim të qartë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.

Shqipëria e konsideron formulën e paqes të Presidentit Zelenski si mënyrën për të rikthyer një paqe të drejtë e të qëndrueshme për Ukrainën.

Çdo proces paqeje duhet të drejtohet nga Ukraina.

Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën derisa të arrihet paqja, në përputhje me Kartën e OKB-së, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe duke përfshirë edhe përgjegjësinë për veprimet e Rusisë.

Rruga drejt paqes nuk duhet të jetë kurrë një rrugë dorëzimi. Ajo duhet të jetë një rrugë e ndërtuar me guximin për të mbajtur lart vlerat tona.

Ndërsa kërkojmë një zgjidhje, duhet të sigurojmë që mbështetja për Ukrainën të vazhdojë.

Ne jemi mbledhur këtu jo për të detyruar, por për të inkurajuar, jo për të imponuar, por për të propozuar rrugë drejt paqes, të cilat respektojnë interesat dhe integritetin e të gjithëve.

Së bashku, le ta transformojmë shpresën e sotme në paqen e së nesërmes!

Begaj kërkon nga Moldavia dhe Kenia që të njohin Kosovën

Presidenti Bajram Begaj ka kërkuar nga homologia Maia Sandu, që Moldavia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Në një takim që dy krerët e shteteve mbajtën në Lucernë të Zvricrës, në kuadër të Samitit të Paqes për Ukrainën, z. Begaj veçoi kontributet e Moldavisë në mbrojtjen territoriale dhe të rendit në Kosovë.

"Gjatë takimit tonë konfirmova mbështetjen e Shqipërisë për Moldavinë në rrugën e saj drejt BE-së. I kërkova të rimendojë vendimin për njohjen e Kosovës dhe të mbështesë anëtarësimet e saj ndërkombëtarisht. Jemi mirënjohës për kontributet e Moldavisë në KFOR," njoftoi presidenti Begaj nëpërmjet rrjetit "X".

Çështjen e Kosovës, presidenti Begaj e trajtoi edhe gjatë takimit me homologun afrikan të Kenies, Uilliam Ruto (o. William), të cilit i përsëriti kërkesën për njohjen zyrtare, duke theksuar se një lëvizje e tillë i shërben zgjerimit të frymës së paqes dhe sigurisë. "Shqipëria dhe Kosova," theksoi z. Begaj, "janë në të njëjtën linjë të politikës së bashkëpunimit kolektiv për shmangien e konflikteve."

Presidenti i Shqipërisë zhvilloi gjithashtu takime me homologët e Kosovës, Malit të Zi, Sllovenisë, si dhe me drejtues të organizatave që marrin pjesë në Samitin për Ukrainën, përfshi edhe presidentin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel (o. Charles Michel). /X

/rtsh.al/