RTSH 24 Live

Politikë

Samiti i NATO-s, Nikolla: Shqipëria në krah të Aleancës dhe SHBA-së në luftën kundër terrorizmit

09/07/2024

Samiti i NATO-s, Nikolla: Shqipëria në krah të Aleancës dhe SHBA-së në luftën kundër terrorizmit

E pranishme në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, zhvilluar në Uashington me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Aleancës, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se Shqipëria ka dhënë një kontribut të sinqertë për paqe, siguri dhe liri.

Shqipëria, si një vend anëtar i ri në NATO, është rasti kuptimplotë që provon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia e vendeve anëtare, as nga pasuria, niveli i zhvillimit, historia e jetëgjatësia në Organizatë, por nga angazhimi i sinqertë për paqe, siguri dhe liri. Ne, shqiptarët, kemi fituar besimin e Shteteve të Bashkuara dhe të anëtarëve të tjerë të NATO-s me angazhimin tonë të qëndrueshëm dhe të vendosur në zbatimin e vendimeve të Aleancës”, tha Nikolla.

Kryeparlamentarja theksoi se Shqipëria qëndron në krah të NATO-s dhe SHBA-së edhe në luftën kundër terrorizmit.

Në librat e shenjtë shkruhet “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar një botë të tërë”. Shqipëria është përkrah NATO-s dhe të aleatëve tanë kryesorë, SHBA dhe BE, e bindur se lufta ndaj terrorizmit, bazave të tyre, mbështetësve të tyre dhe ekstremizmit të dhunshëm, është lufta për jetën”, theksoi Nikolla.

Në Uashington po mbahet Samiti i NATO-s që përkon edhe me 75 vjetorin e krijimit të aleancës. Ky do të jetë samiti i fundit që do drejtohet nga sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg. Tre janë fokuset e tij, forcimi i aleancës, mbështetja e Ukrainës dhe forcimi i partneriteteve globale të NATO-s.

Fjala e plotë e Nikollës:

Shqipëria, si një vend anëtar i ri në NATO, është rasti kuptimplotë që provon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia e vendeve anëtare, as nga pasuria, niveli i zhvillimit, historia e jetëgjatësia në Organizatë, por nga angazhimi i sinqertë për paqe, siguri dhe liri.   

Ne, shqiptarët, kemi fituar besimin e Shteteve të Bashkuara dhe të anëtarëve të tjerë të NATO-s me angazhimin tonë të qëndrueshëm dhe të vendosur në zbatimin e vendimeve të Aleancës.

Një tjetër provë e besimit të Aleancës tek Shqipëria është fakti se pak muaj më parë, më 4 mars, një bazë e re ajrore taktike e NATO-s filloi të funksionojë në vendin tonë.

Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër parlamentet e para të vendeve anëtare të Aleancës që ka ratifikuar protokollet e anëtarësimit të anëtarëve të rinj. Këtë e kemi bërë të udhëhequr nga vizioni që një anëtar i ri është një kontribues më shumë për paqen, sigurinë dhe demokracinë, të cilat mbështesin njëra-tjetrën.

Investimi në paqe dhe siguri nuk sjell sigurokraci. Përkundrazi, ai nxit procesin, institucionet dhe vlerat demokratike. Ne, në Ballkanin Perëndimor, e ndiejmë këtë më shumë.

Kjo sinergji është më domethënëse atëherë kur kërcënimet e luftës janë të dukshme, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe situatës në Lindjen e Mesme.

Shqipëria, si një vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB, së bashku me Shtetet e Bashkuara, ka shërbyer si bashkë-pene-mbajtëse në përcaktimin e qëndrimeve dhe veprimeve në mbrojtje të Ukrainës. Ne u bashkuam me dhe mbështetëm, sa më mirë që mundëm, veprimet e qarta dhe të shpejta të NATO-s në mbështetje të Ukrainës, veprime që treguan forcën dhe kohezionin e Aleancës.

Në librat e shenjtë shkruhet “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar një botë të tërë”. Shqipëria është përkrah NATO-s dhe të aleatëve tanë kryesorë, SHBA dhe BE, e bindur se lufta ndaj terrorizmit, bazave të tyre, mbështetësve të tyre dhe ekstremizmit të dhunshëm, është lufta për jetën.

/rtsh.al/