Presidenti i Republikës Bajram Begaj është takuar në mëngjesin e sotëm me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Takimi i mbajtur përpara fillimit të Samitit të Procesit të Bërdo-Brijunit për krerët e shteteve ka qenë i parashikuar.
Presidenti shqiptar është takuar para Samitit edhe me përfaqësuesit e presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, respektivisht: Zeljko Komsiq, Denis Beçiroviq dhe Zeljka Cvijanoviq.
Po sipas planifikimit u zhvillua edhe Sesioni plenar i Krerëve të delegacioneve të Procesit të Bërdo-Brijunit me fjalët përshëndetëse të pritësve, presidentit.
"Përshpejtimi i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE mund të arrihet vetëm përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, të udhëhequr nga siguria dhe stabiliteti. Të inkurajojmë vlerat europiane, ku të rinjtë tanë të ndihen optimistë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre," shkroi presidenti Begaj në Facebook.
Sipas agjendës të gjithë presidentët e pranishëm do të mbajnë fjalën për të dhënë perspektivën e tyre mbi çështjet e samitit.
Më pas krerët e shteteve do të miratojnë Deklaratën e Shkupit. Një konferencë për shtyp e presidentit maqedonas pritet të mbyllë takimin.
Presidenti shqiptar do të ketë takim dypalësh edhe me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, për të vijuar takimet me dy liderë të partive politike shqiptare, me Ali Ahmetin e BDI-së dhe Arjanit Hoxhën e partisë “Partia Demokratike Europiane”.
Në orën 18:00 presidenti shqiptar do të marrë pjesë në inaugurimin e bustit të Nënë Terezës në oborrin e Ambasadës së Kosovës në Shkup, së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe Presidentin e Maqedonisë së Veriut.
Gazetare: Entela Komino
/rtsh.al/