RTSH 24 Live

Politikë

Samiti i BE, Varhelyi: Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Unionit! Parlamenti bullgar të përmbushë angazhimin

23/06/2022

Samiti i BE, Varhelyi: Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Unionit! Parlamenti bullgar të përmbushë angazhimin
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë

Në prag të mbajtjes së Samitit të BE, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Oliver Varhelyi, i ka bërë thirrje Parlamentit Bullgar që të përmbushë angazhimin e tyre dhe të vendosin propozimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për miratim këtë të enjte, në mënyrë që t'i hapë rrugë dy vendeve në procesin e integrimit.

Me një postim në Twitter, Varhelyi shkruan se tashmë ka ardhur momenti për veprime të përgjegjshme dhe se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

BE i merr shumë seriozisht të gjitha shqetësimet bullgare dhe tani ato janë pjesë e procesit të negociatave. Momenti për vendime të përgjegjshme është tani. Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit tonë Europian. Së bashku do të jemi më të fortë. I bëjmë thirrje Parlamentit Bullgar dhe të gjitha palëve që të përmbushin angazhimin e tyre dhe ta vendosin propozimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për miratim sot siç është propozuar më herët. Kreu i opozitës bullgare Boyko Borissov tashmë ka treguar lidership duke e hedhur propozimin në tryezë. Ne kemi nevojë që të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë. BE-ja duhet të lëvizë”, shkruan Varhelyi.

Këtë të enjte (23 qershor) do të mblidhet Samiti i BE, ku do të vendoset mbi fatin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, lidhur me perspektivën e anëtarësimit në BE. Megjithatë, zhvillimet e fundit në Bullgari, ku ra qeveria, krijojnë pak shanse që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mund të marrin një përgjigje pozitive nga ky samit.

/rtsh.al/