RTSH 24 Live

Politikë

Samiti i BE/ “Ende po prisni Godot?”, Rama dhe Kovaçevski ironizojnë: U përshtatëm me shtyrjen e modernizimit

23/06/2022

Samiti i BE/ “Ende po prisni Godot?”, Rama dhe Kovaçevski ironizojnë: U përshtatëm me shtyrjen e modernizimit

Samiti i BE-së që nis sot (23 qershor) dhe mbyllet nesër, duket se do jetë një fjalëkryq sa i përket Tiranës dhe Shkupit, lidhur me perspektivën e anëtarësimit në BE. Samiti i sotëm është i fundit i BE-së gjatë presidencës franceze, e cila në këto ditët e fundit ka zhvilluar një agjendë të ngjeshur pune, kryesisht me Sofjen, në mënyrë që ajo të heq dorë nga vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut, veto e cila po mban peng edhe Shqipërinë.

Përtej optimizmit të matur të dy ditëve më parë, zhvillimet e fundit që lidhen me rënien e qeverisë në Bullgari, krijojnë pak shanse që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mund të marrin një përgjigje pozitive nga ky samit.

Hartuesit e dokumentit paraprak që do të diskutohet sot dhe nesër në samitin e BE-së, krahas çështjes së statusit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, kanë vënë sërish theksin në  përkushtimin e BE-së për perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në draftin e konkluzioneve të përgatitura për samitin, flitet edhe mbi idenë e krijimit të Bashkësisë Politike Evropiane. Kjo ide pritet të shtjellohet më gjerësisht gjatë këtij takimi, por paraprakisht mësohet se qëllimi është të forcohet dialogu politik dhe bashkëpunimi për t’i adresuar çështjet e interesit të përbashkët në mënyrë që të rritet siguria, stabiliteti e prosperiteti i kontinentit evropian.

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski kanë bërë një foto së bashku teksa ndodhen në Bruksel në pritje të nisjes së Samitit të BE. Rama ironizon zvarritjen e integrimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke shkruar se nuk po presin më Godot, pasi tashmë janë përshtatur me shtyrjen e modernizimit të dy vendeve.

“Ende po prisni Godot? Jo, ne jemi mësuar me këtë sharadë dhe jemi më shumë se kurrë të përkushtuar të shtyjmë përpara modernizimin e vendeve dhe rajonit tonë me frymën e palëkundur evropiane”, shkruan Rama në rrjetin social Twitter.

/rtsh.al/