RTSH 24 Live

Politikë

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë! Firmoset marrëveshja Roaming, Varhelyi: Impakt në zhvillimin social dhe ekonomik

06/12/2022

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë! Firmoset marrëveshja Roaming, Varhelyi: Impakt në zhvillimin social dhe ekonomik

6 Dhjetori shënoi një datë historike në Tiranë, ku për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor u zhvillua një samiti i BE dhe kryeqyteti shqiptar u bë qendra e pritjes e të gjithë liderëve të Europës dhe Rajonit. Ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili priti personalisht të gjithë liderët një e nga një, teksa i drejtoheshin sallës së mbledhjes për samitin e BE-Ballkani Perëndimor.

Gjatë këtij samiti u firmos edhe marrëveshja për Roaming, e cila parashikon tarifa më të ulëta për qytetarët e Ballkanit dhe BE në vendet respektive, ndërsa do të nisi zbatimin nga 1 tetorit 2023. Kjo marrëveshje u cilësuar nga komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi si një akt që do të ketë një impakt pozitiv në zhvillimin social dhe ekonomik të vendeve, ndërsa tha se ky tranzicion dixhital është një hap para për Ballkanin drejt Bashkimit Europian.

Fillimisht në Tiranë mbërritën 6 liderët e Ballkanit Perëndimor, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili më herët kishte anulua pjesëmarrjen e tij pas tensioneve me Kosovën. Më pas samitit iu drejtuan edhe liderët e vendeve anëtare të BE, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidentja e KE, Ursula Von Der Leyen; Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel; Kryeministrja e Italisë Georgia Meloni etj.

Gjatë fjalës së tij për mediat presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel e ka konsideruar një moment të rëndësishëm mbajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, ku tha se kjo ndodh pikërisht për t’i treguar Rajonit se BE kërkon anëtarësimin e plotë të tij në familjen europaine. Edhe komisioneri i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell tha se BE mbështet integrimin e rajonit dhe do të ndihmojë financiarisht Ballkanin për përballimin e pasojave të luftës dhe çmimit të energjisë.  

Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron theksoi se diskutimet do fokusohen për krizën energjetike, duke shtuar se duhet të ketë më shumë solidaritet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.

Jam shumë i lumtur që sot jam në Shqipëri. Samiti në një moment mjaft të rëndësishëm për ne. Kemi projekte konkrete për të diskutuar. Është e rëndësishëm që të ketë solidaritet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë dhe procesin e integrimit të kësaj pjese në BE. E rëndësishme të punohet drejt solidaritetit. Do kemi mundësi të përgatisim konkluzionet për energjinë”, tha Macron.

Liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor zhvilluan foton familjare, ku u zhvillua edhe një ceremoni përshëndetëse me valle popullore të traditës shqiptare në nderim të tyre.

Zhvillimet minutë pas minute

Ora 14:20/  Takimi mes liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor

Kryeministri Edi Rama, ka publikuar në rrjetin social Facebook momentin nga takimi mes liderëve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, pak para nisjes së diskutimeve në tryezën e Samitit. Kreu i qeverisë e konsideron Samitin, një ngjarje historike për Shqipërinë.

Ora 13:25/ Varhelyi: Qytetarët e rajonit dhe BE do ndihen si në shtëpinë e tyre kudo që ndodhen

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se marrëveshje Roaming e arritur me BE dhe Ballkanit Perëndimor do të sjellë një impakt në zhvillimin social dhe ekonomi. Ai tha se falë uljes së tarifave roaming, qytetarët do ndihen si në shtëpinë e tyre kudo që ndodhet.

“Jam i lumtur që ndodhem këtu. Ky tranzicion dixhital do të ketë impakt në zhvillimin social dhe ekonomik dhe këtë po ndërtojmë sot. Duke bërë telefoninë celulare të përballueshme për të gjithë qytetarët, që është element themeltar i çdo tranzicioni dixhital të suksesshme, sot shënojmë një hap të rëndësishme në këtë lloj drejtimi. Kjo është në të mirë të çdo qytetari të rajonit të Ballkanit. Mirëprita nënshkrimin e kësaj marrëveshje të cilët janë zotuar drejt uljes së tarifave të roaming mes vendeve të Ballkanit dhe BE që për qytetarët e rajonit ato të BE kur të lëvizin në vende të ndryshme të ndihen në shtëpinë e tyre kur flasim për hapësirën dixhitale”, tha Varhelyi.

Ora 13:10/ Firmoset marrëveshja Roaming, Balluku: Nga tetori 2023 tarifa më të ulëta për Ballkanin

Zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se me firmosjen e marrëveshjes Roaming, Ballkani do të ketë tarifa më të ulëta nga tetori 2023.

“Falë përfshirjes së rajoni në një bashkësi evropianë përmes një lundrimi pa kosto shtesë në internet përfitojnë kudo nga mundësi të panumërta duke bërë të mundur qarkullimin e ideve dhe projekteve. Marrëveshja e sotme e integron rajonin ton më shumë në qarkullimin e lirë të mallrave dhe ideve dhe integrimeve. Ky bashkëpunim është marrëveshje e firmosur sot nga operatorët  prezentë.   Të implementosh hapat teknologjike nuk është e ehtë sidomos kur kanë impakte financiare dhe teknologji të reja për tu përdorur. Sot kemi hedhur një hap të sigurt që do të fillojë të implementimet nga tetori 2023”, tha Balluku.

Ora 12:35/ Pamjet nga brenda ku zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor

Dalin pamjet nga brenda ku zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor. Liderët europianë po përgatiten për punimet, ndërsa shkëmbejnë dhe takime mes tyre.

Ora 12:20/ Foto familjare e Samitit BE-Ballkani Perëndimor! Ceremoni mikpritëse nga vallet popullore te kryevepra operistike “Traviata”

Liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Tiranë ku dhe zhvilluan foton familjare. Kjo është një ditë historike për vendin tonë pasi një samit i tillë i BE mbahet për herë të parë në një vend të rajonit të Ballkanit.

Në foton familjare të liderëve të Europës është zhvilluar edhe një ceremoni përshëndetëse me valle popullore të traditës shqiptare. Kjo ceremoni është shijuar nga të pranishmit, ku nuk kanë munguar duartrokitjet e tyre mes të cilëve edhe Macron e Mitsotakis, ndërsa Borrell ka preferua t’i mbajë kujtim duke i filmuar me celularë.

Gjithashtu në skenë është vënë edhe ‘Traviata’ që ka bërë disa nga liderët e BE ta këndonin atë nën zë.

Ora 11:22/ Borrell: Kosova dhe Serbia të ulen në dialog dhe të mbështesin propozimin franko-gjerman

Komisioneri i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell tha se BE mbështet integrimin e rajonit dhe do të ndihmojë financiarisht Ballkanin për përballimin e pasojave të luftës dhe çmimit të energjisë. Borrell foli edhe për dialogun Serbi-Kosovë, ku tha se palët duhet të ulen në dialog dhe të mbështesin propozimin franko-gjerman.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për Ballkanin , është samiti i parë me BE që ndodh këtu. Jemi të përkushtuar ndaj rajonit për ta mbështetur për të përballur pasojat e luftës, çmimet e energjisë, mbështetje financiare. Shqipëria është goditur nga sulme kibernetike dhe ekspertët tanë do e ndihmojnë Shqipërinë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një moment i rëndësishëm, mosmarrëveshje për targat ka përfunduar dhe tashmë palët duhet të angazhohen në dialog dhe të mbështesin propozimin franko-gjerman”, tha Borrell.

Ora 11:20/ Kryeministri belg: Ballkani ka bërë progres, Rusia po përpiqet ta destabilizojë

Kryeministri belg Aleksandër De Croo tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përparuar shumë në rrugën e tyre drejt BE. Ai foli edhe për ndikimin rus në rajon dhe jo vetëm, ku tha se mënyrat destabilizuese të Putinit do të përballohen së bashku.

"Ballkani Perëndimor ka përparim, ka bërë një punë të jashtëzakonshme por ka ende për të bërë. Ka shumë harmonizim mes vende të BE dhe Ballkanit Perëndimor, sa i takon politikës së jashtme. Rusia përpiqet të ndikojë jo vetëm këtë rajon por edhe në BE, po përpiqet të destabilizojë. Përgjigjja jonë mund të jetë që bashkimi ynë është më i fortë se kurrë”, tha ai.

Ora 11:17/ Macron: E rëndësishme të kemi solidaritet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor

 

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka mbërritur në Tiranë, duke iu bashkuar Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Në një kmunikim të shkurtër për mediat, Macron theksoi se do të diskutohet në lidhje me krizën energjetike, duke shtuar se duhet të ketë më shumë solidaritet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.

Jam shumë i lumtur që sot jam në Shqipëri. Samiti në një moment mjaft të rëndësishëm për ne. Kemi projekte konkrete për të diskutuar. Është e rëndësishëm që të ketë solidaritet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë dhe procesin e integrimit të kësaj pjese në BE. E rëndësishme të punohet drejt solidaritetit. Do kemi mundësi të përgatisim konkluzionet për energjinë”, tha Macron.

Ora 11:15/ Meloni: I rëndësishëm forcimi i procedurës së anëtarësimin të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni ka shprehur mbështetjen e Italisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Pas pritjes nga kryeministri Edi Rama, Meloni ka deklaruar se është mjaft e rëndësishme të forcohet procedura për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas saj, kriza energjetike, kriza ekonomike, dhe siguria kibernetike janë disa prej çështjeve kryesore për të cilat BE dhe Ballkani Perëndimor duhet të punojnë së bashku.

“Mendoj se kemi përgjegjësi të madhe kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos më shumë pas agresionit rus në Ukrainë. Është e rëndësishme të forcojmë procedurën për anëtarësimin e këtyre vendeve në BE dhe ka shumë çështje për të cilat duhet të punojmë bashkë, për ekonominë, sigurinë kibernetike dhe çështje të tjera për të cilat ju e dini, Italia është e përkushtuar. Do bëjmë maksimunim për shumë çështje që kemi, për roaming, e shumë gjëra të tjera, e siç e dini, mund të mbështeteni për këtë te Italia”, tha Meloni.

Ora 11:05/ Samiti BE-Ballkani Perëndimor, mbërrijnë liderët e Unionit nga Macron, Scholz, Meloni deri te Mitsotakis e Rutte

Teksa Tirana prek Samitin e BE-Ballkanit Perëndimor, vijon të mbërrijnë liderët e vendeve anëtare të BE. Kryeministrin Rama ka pritur zyrtarët e lartë, ndërsa nuk kanë munguar përqafimet me disa prej tyre.

Kryeministri i Holandës Mark Rutte dhe kryeministrja e Finlandës Sanna Marin kanë patur një takim të ngrohtë dhe me përqafime me kryeministrin Rama.  

Gjithashtu kanë mbërritur edhe presidenti francez Macron, kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, presidenti bullgar, kryeministri grek Mitsotakis etj.

Ora 11:03/ Marin: Samiti i rëndësishëm, mjedisi i sigurisë në Europë është sfiduar nga Rusia

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka mbërritur pak më parë në Tiranë në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor. Pas pritjes nga Kryeministri Rama, Marin deklaroi para mediave se po diskutohet me liderët e Ballkanit Perëndimor për të ardhmen evropiane në një kohë kur mjedisi i sigurisë po sfidohet nga Rusia. Samiti BE-Ballkani Perëndimor, është konsideruar si mjaft i rëndësishëm nga Marin, për diskutimin e disa prej çështjeve kryesore sikurse janë kriza energjetike, zgjerimi i BE, etj.

“Po diskutojmë së bashku me fqinjët tanë të BP për të ardhmen evropiane sidomos në këto kohë kur mjedisi i sigurisë në Europë është sfiduar nga Rusia. Është shumë e rëndësishme të kemi një tryezë të përbashkët për të diskutuar për këtë çështje e shumë çështje të tjera kur vjen fjala për energjinë, zgjerimin e BE dhe po kështu dhe çështje shumë të rëndësishme për shembull, jam shumë entuziaste për aspektin e marrëveshjes Roaming që do ulë tarifat sepse këto janë aspekte që përmirësojnë jetën e njerëzve”, tha Marin.

Ora 11:01/ Kryeministrja e Estonisë: Mbështesim anëtarësimin e Ballkanit në BE, Shqipëria bëri punë të mirë në Këshillin e Sigurimit

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kalas tha se vendi i saj mbështet anëtarësimin në BE të rajonit të Ballkanit dhe se vlerësoi punën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit për paqen dhe mbështetjen e Ukrainës.

“Jam e lumtur që ndodhen këtu për samitin. Estonia është mbështetëse e fortë e anëtarësimit në BE dhe që anëtarët e rinj të bëhen pjesë e saj. Jemi mirënjohjes Shqipërisë për punën në Këshillin e Sigurimit dhe me Ukrainën dhe kemi një Evropë dhe na duhet të punojmë për paqen në këtë rajon”, tha Kalas.

Ora 10:40/ Mitsotakis: Jemi optimist për çështjen e detit, palët do ulen në dialog për situatën komplekse

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis tha para samitit në Tiranë se është optimist që çështja e detit me Shqipërinë do të zgjidhet dhe se palët janë të fokusuara në zhvillimin e një dialogu.

“Po i referohesha kësaj çështje dhe ne tentojmë që të zhvillojmë dialog mes dy vendeve pasi është një çështje komplekse. Kam marrë sigurimin se dhe kryeministri kërkon ta zgjidh këtë çështje dhe kemi një marrëveshje dhe jemi optimist”, tha Mitsotakis.

Mitsotakis foli edhe për situatën mes Serbisë dhe Kosovës, ku tha se vetëm dialogu dhe tërheqja nga tensionet është mënyra më e mirë për qetësimin e situatës.

“Kemi inkurajuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe duhet te zhvillohet ne mirëbesim nga te dyja palete. E kuptojmë kompleksitetin dhe jemi plotësisht të vetëdijshme për faktin që kjo çështje të jetë zgjidhur dhe kjo që të zgjidhet duhet që të dyja palete të bëjnë një hap pas dhe më pas të bëjmë të mundur integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor”, tha Mitsotakis.

Ora 09:42/Presidenti i KiE: Moment i rëndësishëm! Do forcojmë angazhimin me Rajonin

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel e ka konsideruar një moment të rëndësishëm mbajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, hera e parë që mbahet në një vend të Rajonit.

Në një komunikim për mediat, pasi u prit nga kryeministri Edi Rama, Michel u shpreh se BE do të mbështesë Rajonin e Ballkanit perëndimor edhe në lidhje me vështirësitë energjetike.

Ky do të jetë një takim i rëndësishëm, simbolik. Është hera e parë që mbajmë një Samit të BE dhe Rajonit në një vend të Ballkanit. Jam i bindur që e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e begatë, po punojmë që të shënojmë përparime. Një element i rëndësishëm është mbështetja që duam t’i sjellim Ballkanit Perëndimor në lidhje me vështirësitë energjetike dhe kjo tregon angazhimin tonë për të forcuar angazhimin me Rajonin. Është një moment i rëndësishëm dhe emocionues që këtu mbajmë një samit të BE dhe Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e begatë me Ballkanin Perëndimor si pjesë e BE”, u shpreh ai.

Ora 09:45/ Firmoset marrëveshja për uljen e tarifave Roaming mes BE dhe Ballkanit Perëndimor nga 1 tetori 2023

Është firmosur marrëveshja për uljen e tarifave Roaming mes operatorëve të telekomunikacionit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Të pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishin 6 udhëheqës të Ballkanit Perëndimor, Presidenti i KiE, presidentja e KE, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit.

Marrëveshja e cila do të mundësojë uljen e tarifave roaming midis  Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të nis nga 1 tetori 2023.

Ora 09:35/ Vuçiç nga Tirana: Erdha të themi të vërteta tona! Ne i dimë detyrimet kundrejt BE

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka qenë i pranishëm në samitin e BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, edhe pse më herët tha se nuk do të vinte për shkak të tensioneve që u krijuan me serbët e Kosovë. Vuçiç tha se ka ardhur për t’i treguar Europës të vërteta e Serbisë dhe se  vendi i tij i di detyrimet drejt rrugës së BE.

“Do të kemi një mundësi së paku të themi se çfarë mendojmë për këtë dhe mbetemi të përkushtuar ndaj procesit të dialogut dhe negociatave me BE por na duhet të mbrojmë interesat tona kombëtare në përputhje me kushtetutën tone. Është e rëndësishme që të marrim mbështetjen e BE për energjinë , heqim tarifat roaming dhe janë sinjale të mira për të gjitha vendet tona. Të tjera do të dëgjojmë për strategjinë e BE për të ardhmen dhe kjo ka rëndësinë më maksimale për ne. Serbia është një vend i pavarura dhe ne i dimë detyrimet tona përkundjet rrugëtimit tonë drejt BE. Kemi një situate ndryshe sa i takon integritet territori të Serbisë që është shkulur ne mënyrë të tmerrshme në 1999 dhe 2008 dhe do e diktojmë sot me liderët e Europës. Ne jemi afër me Rusinë, por kemi përgënjeshtruar se po i shërbejmë asaj për të krijuar destabilizim për Rajonin”, tha Vuçiç

Ora 09:33/ Osmani: BE të flasë me vepra për liberalizimin e vizave për Kosovën! Vuçiç hoqi dorën e bashkëpunimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur këtë të martë nga Kryeministri Edi Rama, për të marrë pjesë në samitin e BE-Ballkanit Perëndimor. Në fjalën e saj para mediave, Osmani deklaroi se samiti është një sipërmarrje e rëndësishme nga Bashkimi Evropian dhe nga Ballkani Perëndimor.

Osmani u shpreh se Kosova ka treguar përkushtim ndaj vlerave të BE në çdo veprim që ka ndërmarrë kur bëhet fjalë për 100% harmonizim për çdo politikë të jashtme. Sipas Osmanit, BE duhet të flasë me vepra lidhur me liberalizimin e vizave.

Ora 09:30/Varhelyi: Mbështetja për anëtarësimin e Rit sjell në Ballkan për herë të parë Samitin

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se samiti ndodhet për herë të parë në Ballkan për të treguar mbështetjen për anëtarësimin

“Prandaj jemi këtu për here te parë dhe zhvillohet për herë të parë në Ballkanin Perëndimor për anëtarësimin e rajonit dhe shprehur mbështetjen tonë”, tha Varhelyi.

Ora 09:27/ Samiti BE - Ballkani Perëndimor, Rama pret liderët e BE dhe Rajonit mbërrijnë në Tiranë

Nis Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, ku liderët e Evropës dhe Rajonit mbërrijnë në ambientet e Air Albania ku dhe do të zhvillohet samiti.

Ka qenë kryeministri Edi Rama që ka mikpritur liderët e Bashkimit Europian, të cilët për herë të parë në historinë e Europës mblidhen së bashku për një samit jashtë kufijve të BE-së, në Shqipëri.

I pari që mbërriti ishte kryeministri i Maqedonisë së veriut Dimitar Kovaçevski dhe komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbise Vuçiç.

/rtsh.al/