RTSH 24 Live

Politikë

Salianji vendos të dorëzohet, Bardhi: Grupi propozoi ngujim në seli, por respektojmë vendimin e tij

4 orë para

Salianji vendos të dorëzohet, Bardhi: Grupi propozoi ngujim në seli, por respektojmë vendimin e tij

Deputeti demokrat, Ervin Salianji ka vendosur të vetëdorëzohet në Polici, pas dënimit me 1 vit burg për akuzë të rreme, edhe pse vendimi i grupit parlamentar të PD-së ka qenë ngujimi në seli pa afat.

Kjo u bë me dije nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili njoftoi vendimin pas përfundimit të mbledhjes. Duke e konsideruar vendimin e Gjykatës si “hakmarrje politike”, Bardhi tha për mediat se i kishin kërkuar Salianjit që të mos e zbatonte vendimin.

Megjithatë, sikurse deklaroi edhe dje (26 shtator) pas vendimit të Gjykatës, Salianji ka vendosur të vetëdorëzohet.

Dua të ndaj me ju qëndrimin e grupit parlamentar lidhur me vendimin e djeshëm politik të urdhëruar nga Edi Rama në seancën plenare të datë s12 shtator 2024 dhe të shkruare të shpallur ditën e djeshme nga një trupë gjyqësorë të gjykatës së apelit. Për ne vendimi gjyqësor është një akt i mirëfilli politik hakmarrje të grupeve kriminale ndaj një deputeti të opozitës. Ervin Salianji u dënua nga gjykata sepse vëllai i ministrit të brendshëm të Ramës, që shëtiste i lirë edhe pse ishte dënuar për trafik narkotikësh, shkoi në burg. Hakmarrja politike e kthyer në vendime gjykatës jep atë që ne kemi thënë që në Shqipëri nuk ka shtet ligjor, nuk ka demokraci. Qëndrimi i Grupit Parlamentar është që ndaj kësaj padrejtësie nuk duhet  të pajtohemi dhe qëndrimi unanim ka qenë kërkesa drejtuar kolegut Salianji që të mos e zbatojë vendimin politik. Vendimi unanim i grupit parlamentar qenë që është detyra jonë e të gjithë grupit parlamentar sugjeroi ngujimin pa afat dhe pa ndërprerje të të gjithë deputetëve në selinë e PD-së. Ky ishte vendimi politik i grupit, por krahas vendimit politik të grupit, jemi të detyruar  të respektojmë vendimin personal të Salianjit që ka vendosur që me të keqen të përballet edhe me shkuarjen në mënyrë të padrejtë në burgun politik që i ka caktuar Edi Rama”, tha Bardhi.

Të enjten, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që dënoi me 1 vit burg Salianjin lidhur me çështjen “Babale”. Në maj të vitit 2018 gazetari Jetmir Olldashi dhe Fredi Alizoti, personazhi i njohur si “Babale”, pretenduan se kishin regjistruar një audio përgjim me vëllain e  ish-ministrit të Brendshëm asokohe, Fatmir Xhafajt dhe se Geron Xhafaj kryente aktivitetin e trafikimit të narkotikëve.

/rtsh.al/