RTSH 24 Live

Botë

Rusia nuk përjashton mundësinë e dislokimit ushtarak në Kubë dhe Venezuelë

13/01/2022

Rusia nuk përjashton mundësinë e dislokimit ushtarak në Kubë dhe Venezuelë

Një diplomat i lartë rus refuzoi të përjashtojë mundësinë e vendosjes së forcave ushtarake ruse në Kubë dhe Venezuelë, nëse rriten tensionet me Shtetet e Bashkuara. Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov, i cili udhëhoqi delegacionin rus në bisedimet e së hënës në Gjenevë, tha në komentet televizive të enjten se ai as nuk mund të konfirmonte dhe as mund të përjashtonte mundësinë e vendosjes së pajisje ushtarake ruse në Kubë dhe Venezuelë.

Negociatat në Gjenevë dhe takimi NATO-Rusi i së mërkurës në Vjenë, nuk arritën të ngushtojnë hendekun lidhur me kërkesat e Moskës për sigurinë, ndërsa rreth 100 mijë trupa ruse janë grumbulluar në kufirin me Ukrainën. Duke folur në një intervistë për televizionin rus RTVI, zoti Ryabkov vuri në dukje se "gjithçka varet nga veprimi i homologëve amerikanë".

Ndërsa ka shprehur shqetësimin se aleanca e NATO-s mund të përdorë potencialisht territorin ukrainas për vendosjen e raketave të afta për të arritur Moskën në vetëm pesë minuta, Putini ka vënë në dukje se luftanijet ruse të pajisura me raketën më të fundit hipersonike “Zircon” do t'i jepnin Rusisë një aftësi të ngjashme nëse do të vendoseshin në ujërat neutrale.

Raketa “Zirkon”, për të cilin Putin tha se fluturon nëntë herë sa shpejtësia e zërit, me një rreze prej më shumë se 1,000 kilometrash, është e vështirë të kapet dhe mund të pajiset me mbushje luftarake konvencionale ose bërthamore. Raketa pritet të vihet në punë nga marina ruse më vonë këtë vit dhe të instalohet në bordin e fregatave dhe nëndetëseve të saj.

Deklarata e zëvendësministrit Ryabkov pasoi komentet e tij muajin e kaluar, kur ai krahasoi tensionet aktuale me Ukrainën me krizën e raketave kubane të vitit 1962 – kur Bashkimi Sovjetik vendosi raketa në Kubë dhe Shtetet e Bashkuara vendosën një bllokadë detare ndaj ishullit. Kjo krizë përfundoi pasi presidenti amerikan John F. Kennedy dhe udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushovi ranë dakord që Moska do të tërhiqte raketat e saj, në këmbim të premtimit të Uashingtonit për të mos pushtuar Kubën si dhe largimit të raketave amerikane nga Turqia.

Zoti Ryabkov tha se një refuzim nga ana e SHBA-ve dhe aleatëve të saj për të marrë në konsideratë kërkesën kryesore ruse për garanci kundër zgjerimit të NATO-s në Ukrainë dhe vende të tjera ish-sovjetike, e bën të vështirë diskutimin e çështjeve të tilla si kontrolli i armëve dhe hapat e ndërtimit të besimit, që Uashingtoni thotë se është gati të negociojë. /voa