Agjencia më e lartë e sigurisë e Rumanisë tha të enjten se po heton ndërhyrjen e mundshme të huaj në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të së dielës. Kandidati i ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, kryesoi ndaj të gjithë kandidatëve të tjerë me pothuajse 23% të votave, pavarësisht nga anketimet që e tregonin me mbështetje njëshifrore përpara zgjedhjeve.
Zoti Georgescu do të konkurrojë në balotazhin e 8 dhjetorit me kandidaten e qendrës së djathtë Elena Lasconi, e cila përfundoi e dyta me 19% dhe shpreson të marrë mbështetjen e kandidatëve të mundur të qendrës dhe të së majtës. Rumunët do të votojnë gjithashtu në zgjedhjet parlamentare në 1 dhjetor.
Këshilli i Lartë i Mbrojtjes, i cili udhëhiqet nga Presidenti aktual Klaus Iohannis, do të takohet të enjten për të "analizuar rreziqet e mundshme për sigurinë kombëtare të krijuara nga veprimet e palëve kibernetike shtetërore dhe joshtetërore", sipas një deklarate të lëshuar të mërkurën nga zyra e presidentit.
Për më tepër, Këshilli Kombëtar Audiovizual i Rumanisë, i cili mbikëqyr transmetimet dhe mediat sociale, i ka kërkuar Komisionit Evropian të hetojë rolin që TikTok-u mund të ketë luajtur në votimin e së dielës mes atyre që i quajti "dyshime për manipulim të opinionit publik", sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Protestuesit kanë dalë në rrugët e Bukureshtit në vazhdën e fitores tronditëse të kandidatit Georgescu.
Zoti Georgescu ka vënë në dyshim mbështetjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për Kievin në luftën kundër forcave ruse. Në Rumani gjenden disa mijëra ushtarakë amerikanë dhe ndan një kufi prej 613 kilometrash me Ukrainën.
Kandidati 62-vjeçar për president i ka vlerësuar politikanët fashistë të viteve 1930 si heronj rumunë.
Sipas VOA
/ rtsh.al /