RTSH 24 Live

Botë

Rudy Giuliani do të jetë objekt hetimi penal  

15/08/2022

Rudy Giuliani do të jetë objekt hetimi penal  

Prokurorët në Atlanta informuan sot avokatët e Rudy Giulianit, se ky i fundit është objekt i një hetimi penal, për përpjekjet e mundshme e të paligjshme të presidentit të atëhershëm Donald Trump, dhe të tjerëve, për të ndërhyrë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias.

Prokurori special, Nathan Wade, njoftoi avokatin lokal të Giuliani në Atlanta se ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut mund të përballet me akuza penale. Lajmi u raportua fillimisht nga The New York Times. Lajmi se Giuliani, një avokat i Trump, është objektiv i hetimit nga Prokurori i Qarkut Fulton, Fani Willis, e afron hetimin më pranë ish-presidentit. 

Willis ka thënë se po merr në vlerësim që të thërrasë vetë Trump për të dëshmuar para jurisë së madhe.  Shqyrtimi i zbatimit të ligjit mbi veprimet e Trump po përshkallëzohet. Javën e kaluar, FBI kontrolloi shtëpinë e tij në Florida, si pjesë e një hetimi nëse ai çoi të dhënat e klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago.

Ai po përballet gjithashtu me një hetim civil në Nju Jork mbi akuzat se kompania e tij, Organizata Trump, ka mashtruar bankat dhe autoritetet tatimore për vlerën e aseteve të tij.  Departamenti i Drejtësisë po heton kryengritjen e 6 janarit në Kapitol nga mbështetësit e Trump dhe përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet që ai pretendoi në mënyrë të rreme se ishin vjedhur. Apnews

/rtsh.al/