RTSH 24 Live

Letërsi

Rudolf Marku shpallet "Poeti laureat" shqiptar

31/10/2020

Rudolf Marku shpallet "Poeti laureat" shqiptar

Tashmë Shqipëria do të ketë “Poetin Laureat”. Ai është Rudolf Marku. Komiteti i këtij vlerësimi e shoqëroi vendimin me motivacionin se, Rudolf Marku: “Ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti, duke shprehur me gjuhën e përshtatshme atë çka është e qëndrueshme te njeriu". Në motivacionin për "Poetin Laureat" është vlerësuar edhe shërbimi i çmuar që i ka bërë ai kulturës kombëtare, duke sjelle në shqip shumë nga kryeveprat e poezisë botërore”.
Ceremonia u mbajt në ambientet e Ministrisë së Kulturës, tavani i së cilës ishte shndërruar në formë reje, në të cilë vareshin letra me poezi.
Një moment tjetër i bukur gjatë mbrëmjes ishte edhe interpretimi i poezive të përzgjedhura nga aktori Laert Vasili.
Poeti Rudolf Marku do ta mbajë këtë titull përgjatë dy viteve dhe do të jetë në krye të një fushate për të promovuar poezinë shqipe.