RTSH 24 Live

Politikë

Ruçi uron Harris: Lidershipi i ShBA, garanci për një botë më mirë, të sigurt e paqësore

21/01/2021

Ruçi uron Harris: Lidershipi i ShBA, garanci për një botë më mirë, të sigurt e paqësore

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Zëvëndëspresidentes  dhe Kryetares së Senatit të ShBA Kamala Harris, me rastin e marrjes prej saj të postit të lartë.
"Jam plotësisht i bindur se, nën drejtimin tuaj vizionar e dinamik, si një juriste e shquar dhe udhëheqëse moderne, Senati i ShBA do të vazhdojë të kryejë me sukses rolin e tij si tempulli më prestigjioz i debatit politik në botën e sotme dhe garantuesit të demokracisë amerikane" shkruan zoti Ruçi.   
"Mbështetja juaj si Kryetare e Senatit për miratimin e politikave parësore të Presidentit Biden për kapërcimin me sukses të pandemisë Covid-19, ringritjen ekonomike, harmoninë sociale e njerëzore, ndryshimet e klimës dhe fuqizimin e koalicionit të vendevçe demokratike, për përballimin e zgjidhjen e problemeve të planetit, janë garancitë për një lidership më të fortë të Shteteve të Bashkuara dhe kontributin e tyre për një botë më mirë, më të zhvilluar, me më shumë mirëqenie, siguri e paqe" shprehet kreu i parlamentit shqiptar.  
Zoti Ruçi i konfirmon zonjës Harris se "SHBA janë aleati kryesor strategjik i Shqipërisë dhe une jam shpresëplotë që bashkëpunimi midis Senatit të ShBA dhe Kuvendit të Shqipërisë do të fuqizohet e zgjerohet gjatë mandatit Tuaj" shkruan ai.