RTSH 24 Live

Sociale

Ruajtja e rendit dhe sigurisë, Policia patrullim në të gjitha godinat arsimore

27/09/2021

Ruajtja e rendit dhe sigurisë, Policia patrullim në të gjitha godinat arsimore

Efektivë të Policisë së Shtetit do të patrullojnë gjatë gjithë vitit shkollor, në afërsi të godinave arsimore me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë për nxënësit dhe stafet arsimore.
Kjo u bë e ditur këtë të hënë, në nisje të vitit të ri shkollor 2021-2022 nga drejtori i rendit në Policinë e Shtetit, Ylli Vasili.
Jo vetëm kaq, por efektivë të Policimit në Komunitet do të realizojnë edhe takime periodike me nxënës e mësues për fenomene që  ndikojnë në procesin mësimor por edhe jetën e nxënësve e mësuesve.
Efektivët e policisë Rrugore do të angazhohen edhe për disiplinimin e qarkullimit të automjeteve para shkollave dhe në afërsi të tyre, me qëllim rritjen e sigurisë së jetës së nxënësve në rrugë, si dhe masa të tjera që konsistojnë në forcimin e bashkëpunimit mes strukturave të Policisë, oficerëve të sigurisë në shkolla, stafeve drejtuese të shkollave, qeverisë së nxënësve dhe bordeve të prindërve. 
Në bashkëpunim me stafet pedagogjike do vijojë monitorimi i zbatimit të masave anticovid.