RTSH 24 Live

Televizion

RTSH dhe ERT drejt nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi

30/09/2021

RTSH dhe ERT drejt  nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi

Një delegacioni i Radio Televizionit Shqiptar, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Drejtues, zoti Leka Bungo dhe ku merrnin pjese Drejtori i Prodhimit në RTSH Genc Ymeraj, drejtoresha e Marrëdhenieve me Jashtë në RTSH Elona Malosmani, dhe të shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, Zonja Luela Hajdaraga ka zhvilluar mëngjesin e të enjtes në Athinë një takim me drejtuesit më të lartë të transmetuesit publik grek, ERT, drejtorin e përgjithshem të ERT zotin Kostantinos Zoulas dhe Presidentin e bordit të këtij televizioni, zotin Georgios Gampritsos.

Në qendër të takimit, që i ka kaluar kufinjtë e një takimi zyrtar, por që ka qenë miqësor dhe i frytshëm ka qenë rikthimi dhe ngritja në një nivel sa më të lartë të marrëdhënieve mes dy mediave publike të të dy vendeve, të cilat kanë qenë të heshtura për një periudhë të gjatë kohore, duke qenë se kemi të bëjmë me dy vende jo vetëm fqinje, por që kanë një marrëdhënie të gjerë bashkëpunimi në të gjitha fushat e jetës, nga ato politike tek ato ekonomike.

Në këtë kuadër është diskutuar për vendosjen e bashkëpunimit në kuadër institucional dhe të qëndrueshëm. Në këtë aspekt u ra dakord pë mundësinë e nënshkrimit të një memorandumi mes dy transmetuesve publike, i cili do të përfshijë një bashkëpunim real dhe që shumë shpejt do të vihet në praktikë e që do përfshijë shkëmbimin e eksperiencave, të trajnimeve, shkëmbimin e programeve dhe bashkëprodhimet mes RTSH dhe ERT. Kjo duke parë edhe faktin që në Greqi jetojnë me qindra e mijëra shqiptrae, e po ashtu Shqipëria ka një minoritet grek.

E pranishme në takim, Ambasadorja shqiptare në Greqi, zonja Luela Hajdaraga, e cila e ka mbështetur nismën e Radio Televizionit Shqiptar për ringritjen e bashkëpunimit mes RTSH dhe gjigandit publik grek, ERT dhe premtoi se do të jetë garante dhe interlokutore për të çuar sa më shpejt përpara bashkëpunimin mes të dy televizioneve.