RTSH 24 Live

Politikë

Rruga Kardhiq-Delvinë, PD akuza qeverisë: Rama katërfishoi kostot, Shqipëria është në rrezik

28/06/2022

Rruga Kardhiq-Delvinë, PD akuza qeverisë: Rama katërfishoi kostot, Shqipëria është në rrezik

Anëtari i Kryesisë së PD-së Eno Bozdo në emër të Partisë Demokratike ka denoncuar ‘abuzimin’ me tenderin për rrugën Kardhiq-Delvinë.

Sipas Bozdos, qeveria bën tenderime të trefishta për të njëjtin segment rruge, duke akorduar fonde shtese, krejtësisht abuzive dhe të pambështetura. Në një deklaratë për media, Bozdo ngriti alarmin se Shqipëria është në rrezik ndërsa shtoi se qeveria Rama i ka ‘rilindur’ rrugët duke i katërfishuar në kosto.

DEKLARATA E PD

Jam këtu sot, në emër të Partisë Demokratike, për t’i transmetuar publikut disa data dhe shifra.

Viti 2012

Në 7 muaj ndërtohet loti i parë i rrugës Kardhiq-Delvinë: 5.6 milion euro për 7 kilometra.

Punë e “qeverisë Berisha” të Partisë Demokratike.

Shtator 2018

Loti 4 i tenderohet firmës “Gjoka Konstruksion”: 20 milionë euro për 6.1 kilometra.

Loti 5 i tenderohet firmës “Alb Star”: 14 milionë euro për 3.3 kilometra.

Prill 2021

Autoriteti Rrugor Shqiptar për të njëjtin segment i akordon Gjoka Konstruksion një fond shtesë: 3.8 milion euro

ARRSH e zgjidh qesen me fond shtesë edhe për Alb Star-in: 2.6 milion euro.

Tetor 2018

ARRSH ia tenderon lotin 6, firmave Agbes dhe Arbëria: 20 milionë euro për 4.5 kilometra.

Prill 2021

Autoriteti akordon, edhe për lotin 6, një fond shtesë: 3.9 milion euro.

Korrik 2020

Lotin 7 qeveria ia jep Gjoka Konstruksion: 15 milionë euro.

Shkurt 2022

Firma Jubica merr tenderin për sinjalistikën rrugore: 1.8 milionë euro.

Maj 2022

Firma Gener merr tenderin e sistemimit të skarpateve të rrugës: 11 milionë euro.

Partia Demokratike kërkon, së pari, të theksojë standardin e saj në kohën kur qeveriste vendin: 1 km rrugë ndërtohej me 950 mijë euro. Qeveria Rama i ka ‘rilindur’ rrugët duke i katërfishuar në kosto.

Së dyti, tenderimet e trefishta për të njëjtin segment rruge, duke akorduar fonde shtesë, krejtësisht abuzive dhë të pambështetura.

Së treti, shfaqjen e të njëjtëve emra përfituesish, ku ‘nxijnë’ Gjoka dhe AlbStar, oligarkët e preferuar të Rama 1, 2 dhe 3 në Bashki dhe Rama 1, 2 dhe 3 në Qeveri. Në serialin “Nuk keni parë gjë akoma”, ky nuk është episodi i fundit. Por, një gjë duket qartë: Shqipëria në rrezik.

/rtsh.al/