RTSH 24 Live

Ekonomi

Rruga drejt anëtarësimit të Shqipërisë, ekonomia: Detyrim plot 13 kapituj

21/07/2022

Rruga drejt anëtarësimit të Shqipërisë, ekonomia: Detyrim plot 13 kapituj

Vetëm për të plotësuar kriterin ekonomik të anëtarësimit në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet të plotësojë 13 kapituj, që lidhen jo vetëm me përafrimin e legjislacionit, por me adaptimin e të gjithë standardeve euuropiane nga lëvizja e lirë e mallrave deri modernizimin e financave dhe të buxhetit.

Vini re këtë tabelë të bërë publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ku tregohen të gjithë kapitujt për të cilat duhet të punojnë fort jo vetëm autoritetet publike, por edhe aktorë të tjerë të ekonomisë.

Edhe për Shqipërinë nuk do të jetë një detyrë e lehtë. Vendi duhet të përshpejtojë procesin e reformës, i cili do t'i japë një impuls modernizimit të ekonomisë.

Vitet e fundit Shqipëria ka ecur ngadalë në çështjet themelore si korrupsioni (vendi i 110-të në 2021 kundrejt 113-të në 2012) dhe së fundi ka pësuar kthim prapa në lirinë e shtypit (rënie nga 83 në 103 në një vit), një tregues i qartë i shtesave nw përpjekjet e nevojshme nga shoqëria për të ngritur standardet në nivelet e BE-së.

Hapja e kapitujve me Bashkimin Europian pritet të jetë një pikë kthese për modernizimin e ekonomisë shqiptare. Shqiptarët duhet të tregojnë nëse janë gati të përqafojnë reformat, ndonjëherë të vështira, për të hyrë në klubin që ka qenë ëndrra e tyre prej vitesh.

Maqedonia e Veriut ka pritur për bisedimet e anëtarësimit në BE që nga viti 2005 dhe Shqipëria që nga viti 2014, dëshmi e rrugës së vështirë dhe progresit të pabarabartë të bërë nga të dyja vendet së bashku me valën populiste që ka përfshirë BE-në pas krizës së madhe financiare të vitit 2008, e cila veproi si një frena për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së.

Shteteve si Austria, Finlanda, Suedia, Irlanda dhe Danimarka i janë dashur rreth dy vite të bëhen pjesë e BE-së, ndërkohë që shteteve si Greqia, Letonia, Lituania, Malta, Sllovakia i janë dashur rreth 4 vite për të qënë pjesë përbërëse e Bashkimit Europian. Një periudhë kohore me të gjatë ka marrë procesi i anëtarësimit që prej hapjes së negociatave për Qipron, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Poloninë dhe Slloveninë, me plot 6 vite. Rreth 7 vite që i janë dashur Spanjës, Portugalisë, Bullgarisë dhe Rumanisë. Procesin më të gjatë në kohë e mban Kroacia me pothuajse 8 vite, që prej hapjes së negociatave e deri në anëtarësimin e plotë.

/rtsh/