RTSH 24 Live

Sociale

Rritje abuzive e çmimit të bukës

07/09/2021

Rritje abuzive e çmimit të bukës

Çmimi i bukës nuk mund të rritet me urdhër dhe as nga një shoqatë që grupon sipërmarrje të një sektori. Autoriteti i Konkurrencës duhet të ndërhyje dhe të hetojë për vendosje horizontale të çmimit, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, një agjenci e atashuar pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, duhet të kontrollojë urgjentisht peshën e bukës që tregtohet. Konsumatorët duket se po vidhen dy herë. Materiali në vazhdim është përgatitur nga Bardhi Sejdarasi.

Prej 2 javësh, disa furra në vend, kanë rritur çmimin e bukës me 10 deri 20 lekë, duke e çuar në 80 lekë, me një shtrenjtim mbi 14%. Kjo rritje çmimi justifikohet nga prodhuesit e bukës me rritjen e çmimit të miellit. 
Fakt është që në fillim të këtij viti, çmimi i miellit u rrit me 6 % ose 300 lekë për kuintal. Në shtator 2021, 100 kilogram miell kushtojnë 5,500 lekë nga 5,000 lekë që ishte përgjatë 2020. 
Rusia, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të grurit kufizoi eksportet për të krijuar rezerva të brendshme nga frika e pandemisë. Ky veprim rriti çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtare. Sikurse dihet, Rusia dhe Serbia janë furnizuesit kryesor të grurit në Shqipëri.
Në ndërkohë, sipas të dhënave të Numbeo-s, portalit më të madh që raporton mbi cilësinë dhe kostot e jetesës, në korrik 2021, për të blerë 500 gramë bukë, një familjeje në Shqipëri i duhet të paguajë 65.76 lekë. Në Prishtinë kjo sasi buke kushton 41,42 lekë. Në Beograd 53,92 lekë, ndërsa në Shkup 58,2 lekë për 500 gram bukë të bardhë. 
Sikurse shihet, pas rritjes së çmimit të bukës, këto ditët e fundit, Shqipëria është e para në rajon për çmimin për njësi të këtij produkti. Fakt i njohur është që Shqipëria është shteti që shpenzon më shumë për bukë dhe drithëra në Europë. Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë afër 190 euro në vit, më të lartat në rajon. 
Por edhe pse paguajmë më shumë nga rritja abuzive dhe e komanduar e çmimit, sikundër po ndodh këto ditë, nuk po zgjidhim dot, prej tre dekadash, abuzimin e tregtarëve me peshën e bukës. Institucion përgjegjës është Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, një agjenci e atashuar pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Ekspertë të pavarur theksojnë, jashtë mikrofonit, se edhe tabelat e miratuara që lidhin peshën e bukës me çmimin e saj janë të tejkaluara dhe jo konform strandardeve të Bashkimit Europian. Dhe kjo është një tjetër mundësi për abuzim e vjedhje në peshë, që duhet ta vërtetojnë veçanërisht inspektorët e Inspektoratit të Mbikqyrjes së Tregut në Shqipëri.
Qeveritë në vite kanë ofruar lehtësi fiskale dhe ekonomike për sektorin e prodhimit të bukës. Eshtë fakt që bizneset e këtij sektori nuk flasin tashmë për standardet e bukës dhe as për faktin se energjia e subvencionuar është një lehtësim për biznesin e tyre. Çmimi favorizues i energjisë prej 7,6 lekësh për kilovat orë aplikohet për biznese që merren vetëm me prodhimin e bukës. Bizneset e tjera e paguajnë këtë energji jo më pak se 14,6 lekë për kilovatorë. Pavarësisht këtyre lehtësive, prej 2-3 javësh, disa furra në vend kanë rritur çmimin e bukës, me një shtrenjtim rreth 14%.  Bizneset paralajmërojnë rritje, nëse shtrenjtimi i grurit nuk ndalet, duke ndikuar edhe te shtrenjtimi i shitjes të miellit me 5 lekë/kg përgjatë gjithë muajit gusht. Kësisoj, fitimi i bizneseve të këtij sektori është i garantuar shumëfish, jo vetëm nga kjo rritje abuzive e çmimit, por sidomos nga vjedhja në peshë e bukës, vjedhje që nuk kontrollohet dhe nuk ndalohet asnjëherë!