RTSH 24 Live

Ekonomi

Rritja e vlerës së markave është realizuar përmes rritjes së cilësisë

23/10/2021

Rritja e vlerës së markave është realizuar përmes rritjes së cilësisë

Vlerat e markave kineze janë rritur ndjeshëm, në kërkim të zhvillimit me cilësi të lartë dhe të qëndrueshëm, thuhet në një raport mbi renditjen e 100 markave më të vlefshme kineze për vitin 2021, publikuar nga komapnia ndërkombëtare e kërkimit të tregut “Kantar”, përcjell “Xinhua”.
Vlera e përgjithshme e 100 markave kryesore kineze pati një rritje mbresëlënëse, 57% nga viti i kaluar, për të arritur në 1.56 miliardë dollarë.
Në vendin e parë në klasifikimin e 10 markave kryesore renditet “Tencent”, vlera e markës së të cilës u rrit 85% në 279.6 miliardë dollarë.

Gjiganti i internetit “Alibaba” dhe “Kweichow Moutai” renditen përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë, me marka me vlerë 201.9 miliardë dollarë dhe 110.6 miliardë dollarë.
Sipas klasifikimit, markat kineze që hynë në listë në vitin 2021 kishin normën më të shpejtë të rritjes vjetore në vlerën e përgjithshme në 11 vitet e fundit. Përveç kësaj, ato kanë parë rritje më të shpejtë se vlera totale e markave globale gjatë vitit të kaluar, tha Doreen Wang, presidente globale e “Kantar BrandZ”.
Rritja e vlerës është për shkak të cilësisë së lartë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, një trend i rëndësishëm që shihet në markat kineze, në përgjigje të konkurrencës në tregun ndërkombëtar dhe ndryshimeve në sjelljen e konsumatorëve.
Zhvillimi i qëndrueshëm i markave mbështetet edhe nga marrja e përgjegjësisë shoqërore dhe dëshira për të kënaqur nevojat e konsumatorëve. Sipas studimit, kinezët i kushtojnë më shumë rëndësi përgjegjësisë sociale dhe idealeve të përfaqësuara nga një markë, sesa konsumatorët globalë.