RTSH 24 Live

Ekonomi

Rritja e çmimit të karburanteve, ministri Ahmetaj mbron Bordin e Transparencës

09/06/2022

Rritja e çmimit të karburanteve, ministri Ahmetaj mbron Bordin e Transparencës

Rritja e çmimit të karburanteve, a ka vënë në pikëpyetje efektshmërinë e Bordit të Transparencës? Kësaj pyetje, por edhe akuzave të opozitës se çmimi i karburanteve nuk përcaktohet nga Bordi, por nga marrëveshjet mes qeveritarëve dhe pronarëve të karburanteve, i është përgjigjur ministri, Arben Ahmetaj. Në një komunikim me median, ai ka hedhur poshtë dyshimet dhe spekulimet rreth efektshmërisë së Bordit të Transparencës. Sipas tij, Bordi i Transparencës “është një instrument funksional dhe do vazhdojë të ekzistojë”.

“Qeveria punon çdo ditë. Sot morëm një seri detyrash. Janë mbi 20 e ca detyra që kryeministri dha në raport me ndjekjen, përballimin e hartimin e politikave e instrumenteve, për përballimin e krizës. Është krizë e shkaktuar nga njeriu. Qeveria do të përdorë të gjithë instrumentat e duhur, qoftë edhe innovative, që të frenojë rritjet abuzive të çmimeve. Çdo instrument që funksionon për të monitoruar e frenuar me instrumentet e tregut dhe ato që ka administrata e shtetit, të gjitha do vijojnë të funksionojnë”, tha Ahmetaj.

Nafta me pakicë në vend po shitet me 258 lekë/litri. Bordi i Transparencës deklaron se bazohet në çmimet e bursës për të përcaktuar shifrat e shitjes së karburantit me pakicë në vend.

/rtsh.al/