RTSH 24 Live

Sociale

Rritja e çmimit të bukës, Autoriteti i Konkurrencës: Po shkelet ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”

10/09/2021

Rritja e çmimit të bukës, Autoriteti i Konkurrencës: Po shkelet ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka ndërmarrë një hetim të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend, Miell Tirana, Bloja, Atlas dhe Atlas Mills.
Sipas vendimit të komisionerëve të këtij autoriteti, pas dy muaj hetimesh konstatohet sjellje e bashkërenduar midis këtyre ndërmarrjeve, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit.
Autoriteti i Konkurrencës ka nxjerrë pas hetimit se, këto ndërmarrje kanë bashkërenduar sjelljen, duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal, sjellje e cila bie ndesh në kushtet e zbatimit të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Autoriteti i ka detyruar kompanitë që gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo tre muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet si dhe të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi. Kompanitë do të monitorohen për një vit. Komisioni vendos gjoba, në masën deri në 10 për qind të xhiros së ndërmarrjes, të vitit financiar paraardhës, për çdo ndërmarrje që pas monitorimit do të rezultojë se ka shkelur ligjin e mësipërm.