RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Rritet numri i infektimeve në Tetovë, Ministria e Shëndetësisë bën të detyrueshme mbajtjen e maskave

08/08/2021

Rritet numri i infektimeve në Tetovë, Ministria e Shëndetësisë bën të detyrueshme mbajtjen e maskave

Gjendja epidemiologjike në qytetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut është përkeqësuar gjë që ka çuar në marrjen e vendimit për masa shtrënguese nga Komisioni për Sëmundje Infektive. Vetëm brenda një muaji në këtë qytet numri i të infektuarve është rritur nga gjashtë në 229 të infektuar. Në qytet aktualisht ka 379 raste aktive me COVID-19, apo nëntë më shumë se Shkupi, i cili që nga paraqitja e pandemisë ka qenë qyteti me numrin më të lartë të të infektuarve. Kjo ka bërë që Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe Komisioni për Sëmundjet Infektive t’i rekomandojnë Qeverisë që të vendosë masa të reja në rajonin e Tetovës për shkak të përhapjes së shpejtë të fundit të koronavirusit. Masat parashikojnë ndalimin e të gjitha manifestimeve në ambiente të mbyllura, siç janë dasmat dhe manifestimet tjera familjare që besohet të jenë dhe shkaktarët kryesor të përhapjes së virsit. “Objektet e hotelierisë nuk duhet të mbushin më shumë se 30% të kapaciteteve ndërsa tavolinat nuk duhet të kenë më shumë se katër persona. Zbatimi i këtyre masave do të pasohet nga kontrolle të intensifikuara”, ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar rreth 550 mijë persona, prej tyre rreth 425 mijë me dy doza.