RTSH 24 Live

Aktualitet

Rregullorja e re e Kuvendit, Gjonçaj: Nuk ka për synim censurën!

11/06/2021

Rregullorja e re e Kuvendit, Gjonçaj: Nuk ka për synim censurën!

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genci Gjoncaj dhe përfaqësues të zyrës së shtypit, kanë zhvilluar një takim me gazetarët në lidhje me rregulloren e re të Kuvendit sipas së cilës gazetarët nuk do të mund të jenë më të pranishëm në sallat e komisioneve parlamentare. 
Gjonçaj tha se rregullorja e re nuk ka për synim censurën dhe siguroi se nuk do të ketë përzgjedhje pamjesh dhe planesh që do i transmetohen gazetarëve. “Teknikisht, gazetarët dhe publiku, me ndërmjetësinë ose jo të gazetarit, nuk pengohen nga informimi. Kuvendi i Shqipërisë nuk censuron dhe nuk përzgjedh asnjë pamje dhe asnjë plan, pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk po instalon asnjë regji qendrore. Përkundrazi çdo gjë komandohet nga vetë gazetarët dhe janë ata që ndjekin dhe përzgjedhin çdo pamje apo detaj që dëshirojnë të transmetojnë. Në “News room-in” e dedikuar për gazetarë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë regji dhe asnjë regjisor të ngarkuar me detyrën për përzgjedhjen e pamjeve”, sqaroi Gjoncaj.
Megjithatë gazetarët kanë theksuar nevojën për të qenë të pranishëm në Komision, pasi në të kundërt i censurohet informacioni si dhe kanë bërë disa propozime që do të shqyrtohen.