RTSH 24 Live

Teknologji

Roveri kinez i Marsit vazhdon të eksplorojë “planetin e kuq”, gati për stinën më të ftohtë

07/05/2022

Roveri kinez i Marsit vazhdon të eksplorojë “planetin e kuq”, gati për stinën më të ftohtë

Roveri kinez i Marsit ka vazhduar eksplorimin e “planetit të kuq” dhe është gati për stinën më të ftohtë që po afron, tha të premten Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës (CNSA).

Marsi ka një periudhë rrotullimi të ngjashme me atë të Tokës, me një ditë diellore rreth 40 minuta më të gjatë se ajo e Tokës, prandaj në “planetin e kuq” ka edhe ditë, net dhe stinë të ndryshme.

Për shkak të një periudhe orbitale prej rreth 687 ditësh, çdo stinë në Mars zgjat rreth dy herë më shumë sesa në Tokë.

Në pjesën veriore të Marsit, roveri “Zhurong” po hyn në dimër, dhe periudha më e ftohtë pritet të jetë në korrik.

Temperatura më e lartë e pikës ku ndodhet “Zhurong” në mesditë është minus 20 gradë Celsius, ndërsa temperatura e mjedisit gjatë natës ka rënë nën minus 100 gradë Celsius.

Moti me pluhur në Mars ka sjellë gjithashtu ndikim në kapacitetin e prodhimit të energjisë të baterive të krahëve fotovoltaikë të roverit.

Ekipi inxhinierik ka rregulluar këndin e këtyre krahëve dhe ka pakësuar detyrat dhe orët e punës të pajisjes, për të ekuilibruar përdorimin e energjisë në kushtet e temperaturës së ulët dhe motit me pluhur.

"Për momentin, marrja, ruajtja dhe furnizimi i energjisë i roverit kanë përmbushur pritshmëritë e projektit tonë origjinal. Për dimrin e ashpër pasues, ne kemi bërë gjithashtu disa plane përkatëse dhe skema të përshtatura," tha Zhang Rongqiao, kryeprojektuesi i misionit të parë kinez të eksplorimit të Marsit, “Tianwen-1”.

Për të garantuar funksionimin e sigurt në motin e ftohtë dhe me pluhur të Marsit, ekipi projektues ka vendosur gjendjen automatike të gjumit në rover. Kështu, roveri do të hyjë në gjendjen e fjetjes kur energjia të bjerë në një pikë të caktuar dhe do të kthehet në funksionimin normal kur mjedisi të përmirësohet.

Qendra e eksplorimit dhe inxhinierisë hënore e CNSA-së publikoi gjithashtu pamje të marra nga orbituesi “Tianwen-1” dhe roveri “Zhurong”.

Gjatë orbitimit të tij rreth Marsit, të shtatë ngarkesat e bartura nga “Tianwen-1” kanë qenë në funksionim për eksplorimin me anë të gjurmimit në largësi në Mars.

Deri të enjten, “Tianwen-1” ka qenë në orbitë për 651 ditë në një largësi 240 milionë kilometra nga Toka. Roveri “Zhurong” ka funksionuar në sipërfaqen e Marsit për 347 ditë, duke udhëtuar 1921 metra.

Orbituesi “Tianwen-1” dhe roveri “Zhurong” kanë marrë rreth 940 GB të dhëna origjinale shkencore.