RTSH 24 Live

Aktualitet

Ripavarësimi i Polonisë- përmes Solidarnost drejt sovranitetit

11/11/2020

Ripavarësimi i Polonisë- përmes Solidarnost drejt sovranitetit

 

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Polonisë, 11 Nëntor, Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë  ka lëshuar një deklaratë për shtyp, në të cilën flitet për fazat e mëvetësisë së shtetit polak. 
Më 11 nëntor 1918 Polonia, inekzistente në hartën politike të Evropës për 123 vjet, rifitoi pavarësinë. Ambasadori Karol Bachura në këtë deklaratë ndalet tek lëvizja Solidarnost, e cila i dha shtetit polak sovranitetin e plotë. 


“Sindikatat e pavarura vetëqeverisëse punëtore Solidarnost lindën 40 vjet më parë në qytetin e Gdanjskut Ato ishin sindikatatat e para të pavarura në një vend të Traktatit të Varshavës të njohura nga strukturat shtetërore- shprehet mes të tjerash Ambasadori Bachura. Në shtator 1981 numri i anëtarëve të Solidarnost arrinte në 10 mln, çka përbënte pothuaj 1/3 e gjithë popullsisë së vendit. Pranohet gjerësisht që Solidarnost ka luajtur rol kyç në dhënien fund të qeverive komuniste në Poloni dhe në rifitimin e sovranitetit të plotë të shtetit. 


Me veprimtari në ilegalitet, sindikatat Solidarnost jo vetëm që mbijetuan, por edhe e detyruan qeverinë komuniste të hynte në bisedime me opozitën, çka prodhoi marrëveshjen për zgjedhje të përgjithshme parlamentare më 4 qershor 1989, të cilat u kurorëzuan me fitore dërrmuese të opozitës antikomuniste. Ky triumf i Solidarnost-it u dha udhë zhvillimeve të ngjashme edhe në vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore deri në rrëzimin e Murit të Berlinit.


Në vijim të deklaratës Bachura ndalet edhe tek kremtimi i Ditës së Pavarësisë polake në Tiranë. Në këtë kontekst thekson se kjo pjesë e historisë polake do të jetë më e nënvizuar për publikun shqiptar jo vetëm falë kësaj lëvizjeje, por edhe nëpërmjet botimit më të ri të Dr. Dorian Koçit, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, me titull "Na Adriatiku në Balltik-udhëkryqe shqiptaro-polake", ku lexuesi do të gjejë fakte pak të njohura të gjurmëve polake edhe në kryengritjen shqiptare për liri në kohën e Gjergj Kastrioti Skënderbe. 


Falë përkthimeve të Astrit Beqirajt dhe Edlira Llohës lexuesi shqiptar do të plotësojë „pesëshen” e Nobelistëve polakë në letërsi-Sienkiewicz (1905), Reymont (1924), Milosz (1980), Szymborska (1996), Tokarczuk (2018). Promovimi i historisë dhe kulturës polake, përmes letërsisë, është evidentuar në shtator 2020 nga Ministri polak i Punëve të Jashtme, zoti Zbigniew Rau, i cili ka nderuar me medaljen "Bene Merito" përkthyesin Astrit Beqiraj. 


Besoj fort që  veçanërisht në kohët e COVID-19 , shprehet në mbyllje Bachura, frymëzuar, veç të tjerash edhe nga përvoja polake të viteve ‘80, fryma solidare merr kuptim edhe më të madh si në të shprehur, ashtu edhe në veprim. "Unin" egocentrik  ta zhvendosim në shumësin plot empati "ne". Gjithsesi  do të donim shumë që frymën dhe termin Solidarnost ta bëjmë pjesë të panoramës së kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë. Në kujtim të fjalëve të  udhëheqësit të parë të  lëvizjes Solidarnost, Lech Walesa,  me të cilat si president i Polonisë fjalimin e tij në kongresin amerikan më 15 nëntor 1989 e nisi me një citat nga Kushtetat amerikane "Ne, Populli!...".