RTSH 24 Live

Ekonomi

Rinisin dërgesat e ndërprera të naftës ruse në Sllovaki

10/08/2022

Rinisin dërgesat e ndërprera të naftës ruse në Sllovaki

Dërgesat e naftës nga Rusia përmes një tubacioni kritik në disa vende evropiane rifilluan, pasi u zgjidh një problem mbi pagesat për tranzit, tha të mërkurën Ministri i Ekonomisë i Sllovakisë, Richard Sulik. “Nafta është tashmë në territorin e Sllovakisë”, tha Sulik në Facebook. Ai nuk dha detaje të tjera. Operatori shtetëror rus i tubacionit Transneft tha të martën se ndaloi dërgesat përmes degës jugore të tubacionit Druzhba, ose Miqësia, që kalon përmes Ukrainës në Republikën Çeke, Sllovaki dhe Hungari.

Pjesa veriore e gazsjellësit Druzhba, e cila kalon përmes Bjellorusisë në Poloni dhe Gjermani, ishte e paprekur, tha Transneft. Transneft përmendi ndërlikimet për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian për veprimin e tij më 4 gusht, duke thënë se pagesa e tij ndaj homologut ukrainas të kompanisë ishte refuzuar. 

Sulik tha se pagesat do të bëhen nga rafineria sllovake Slovnaft, pasi të dyja palët ruse dhe ukrainase ranë dakord për zgjidhjen. Slovnaft është në pronësi të grupit të energjisë MOL të Hungarisë. MOL konfirmoi se paratë janë transferuar. Por zëdhënësi i Slovnaft, Anton Molnar tha se marrëveshja mbulonte vetëm dërgesat në Sllovaki dhe Hungari dhe jo në Republikën Çeke. Apnews

/rtsh.al/