RTSH 24 Live

Art

Ringjallet "Uvertura bizantine" e Nolit

09/03/2023

Ringjallet "Uvertura bizantine" e Nolit

"Uvertura bizantine" e Fan Stilian Nolit, po ringjallet nga bashkëpunimni i orkestrave të RTSH dhe TKOB nën drejtimin e dirigjentit polak Aurélien Azan Zielinski, aktualisht në funksionin e drejtorit artistik të Orkestrës së RTSH. 

"Fan Nolin shumë njerëz nuk e njohin si kompozitor. Uvertura e tij bizantine është luajtur vetëm një herë në Shqipëri dhe jam shumë i lumtur ta zbuloj këtë vepër për publikun. Sa erdha në krye të Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar e vura si objektiv të interpretohet muzikë shqiptare, sepse ka shumë kompozitorë të mirë shqiptarë që e meritojnë këtë" tha Zielinski për RTSH. 

"Uvertura bizantine" e Fan Stilian Nolit u interpretua për herë të parë si premierë absolute në vitin 1939 nga Orkestra Simfonike e Bostonit në përvjetorin e Kishës Ortodokse në Amerike dhe u transmetue edhe në radion shtetërore amerikane.

Në Shqipëri ajo është transmetuar për herë të parë në vitin 1982 me formacion orkestral të reduktuar si pasojë e mungesës së instrumentave 

Përvec uverturës bizantine të Nolit në koncert do të interpretohen edhe variacionet me temë Rokoko të Çajkovskit. 

Kryevepra e tij më e njohur për violinçel dhe orkestër ka sjellë në Tiranë edhe solistin e vitit në Francë, violincelistin francez, Aurelien Pascal.

Duke folur për bashkëpunimin mes dy orkestrave Zielinski tha se "Vepra “Fantastike“ e Berliozit është një vepër monumentale që ka një kontigjent të madh harpash, shumë perkusione. Çdo orkestër nuk e luan dot vetë. Ishim të detyruar dhe po shoh që ky bashkëpunim po ecën shumë mirë. Muzikantët janë shumë të kënaqur! Edhe unë gjithashtu" tha dirigjenti Zielinski.

/ rtsh /