RTSH 24 Live

Ekonomi

Rindërtohen shtëpi me grante nga buxheti

12/04/2021

Rindërtohen shtëpi me grante nga buxheti

 

Më shumë se 22 mijë familje në 11 bashki të vendit kanë përfituar granet e rindërtimit të shtëpieve të dëmtuara nga tërmeti. Një pjesë e shtëpive janë ndërtuar nga vetë banorët, që kanë përfituar fillimiusht 60 për qind të shumës së nevojshme për të ndërtuar shtëpitë e reja. Radio Televizion Shqiptar ishte në një nga shtëpitë që po ndërtohet nga vetë banorët e dëmtuar me paratë e buxhetit. 

Ky është fshati Karaç në njësinë administrative Maminas dhe kjo është banesa në ndërtim e Imer Koçit që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Imeri  së bashku me vëllezërit zgjodhën të marrin grantin e qeverisë, për të rindërtuar shtëpinë e tyre.

Këto kanë qënë të vetmet kujtime që iu kanë mbetur të katër vëllezërve. Janë votot nga dëmet e tërmetit. Në vend të kësaj shtëpie të rënuar tani po ngrihet shtëpia e re, me dy kate, që do të sistemojë të katër familjet e tyre.
Edhe pak ka mbetur nga përfundimi i shtëpisë së re.

Rreth 60% e fondit të miratuar për grantet e rikonstruksionit të apartamenteve dhe shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti janë paguar deri tani, sipas të dhënave të Ministrisë të Rindërtimit. Përfitues të këtyre grandeve janë 22 mijë familje për 11 bashki të vendit. Totali i fondit të miratuar për t’u shpërndarë është 9,8 mld lekë.
Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, u shpenzuan 57% e fondeve të programuara, vetëm 16,6 miliardë lekë nga 29 miliardë të planifikuara. 
Fondi i këtij viti prej 28 miliardë lekësh do të përdoret për të përballuar kostot për projektet e miratuara dhe të pafinancuara të vitit 2020 si dhe projektet e reja.
Sipas planit zyrtar të qeverisë për rindërtimin, totali i nevojave për rimëkëmben pas tërmetit kërkon financimin e një shume prej 123 miliardë lekësh, rreth 1 miliard euro.