RTSH 24 Live

Ekonomi

Rimbursimi i barnave për trajtimin e COVID-19: Një familjar mund t’i tërheqë ato në farmaci me kodin e recetës

23/11/2020

Rimbursimi i barnave për trajtimin e COVID-19: Një familjar mund t’i tërheqë ato në farmaci me kodin e recetës

Të gjithë pacientët e prekur nga COVID-19 që trajtohen në banesë të siguruar ose jo, po e përfitojnë tani edhe paketën antiCovid.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor informoi se paketa e mjekimit bazë përmban vitaminoterapi, antipiretikët, antibiotikët, antikoagulantët dhe kortizonikët. Sipas FSDKSH, mjeku i familjes përcakton mjekimin që duhet të marrë pacienti i diagnostikuar me COVID-19.

“Nuk keni nevojë të shkoni fizikisht në qendrën shëndetësore për përfitimin e paketës. Lidhuni me mjekun e familjes nëpërmjet sistemeve të shëndetësisë elektronike. I gjithë procesi është online dhe një familjar mund të tërheqë barnat në farmaci me kodin e recetës”, bën të ditur FSDKSH.

Për të lehtësuar barrën financiare për qytetarët që preken lehtë apo mesatarisht nga COVID-19 , Qeveria vendosi rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Sipas vendimit të qeverisë, paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë.

Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë