Këngëtarja nga Kosova, Gjira Kajtazi, është rikthyer me projektin e ri muzikor “On&Off”. Në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu paraditen e sotme në Radio Tirana 1, Gjira tregon arsyet e mungesës 8-vjeçare në muzikë. “Është shumë vështirë kur ti je vetë krijuese e këngëve dhe teksteve. Është një presion që artisti ka me veten, një farë konflikti që nuk je në gjendje të prodhosh vazhdimisht. Varet nga rrethanat jetësore, inspirimi, se cfarë dëshiron të shprehësh. Ka qenë një kohë që nuk kisha çfarë të tregoja, nuk kisha vullnet dhe inspirim.”
Në vitet 2012-2014, kur ka qenë mjaft aktive në muzikë, Gjira njihej për stilin e veçantë, natyrën rebele dhe tekstet e drejtpërdrejta. Ka qenë ndër të parat këngëtare që guxoi në rrymën Hip Hop. “Në kohën kur unë kam lançuar muzikë Hip Hop njerëzit kanë patur shumë paragjykime sidomos se isha femër. Kanë qenë më të kufizuar, ndërsa sot janë më të hapur. Atëherë ka qenë skandal për një vajzë me flokë të shkurtra, që shprehej ashpër dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.”
Duket se ky paragjykim ka ardhur më shumë nga gjinia femërore. “Meshkujt më kanë përkrahur më shumë se femrat sepse ato ishin më sipërfaqësore dhe thoshin pse i ka flokët e shkurtra, pse nuk shfaqet me make-up ose pse nuk vishet elegante.”
Çfarë ndodhi që Gjira u tërhoq nga muzika? “Thjesht nuk pati më sfidë, pas suksesit dhe kulmit nuk kisha çfarë të nxirrja më shumë në industrinë shqiptare. Do të kisha dalë jashtë vetes dhe nuk kisha dëshirë. Sepse ti duhet të superosh veten, të sjellësh risi vazhdimisht, dhe vjen momenti kur artisti bëhet qesharak dhe banal. Është mirë të dish pikën kur të tërhiqesh.”
Rikthimi i Gjirës në muzikë i kushtohet lirisë dhe lidhjes me bashkëshortin. “Koha e sotme i trajton marrëdhëniet ashtu “on” dhe “off” (ulje dhe ngritje). Kam përjetuar një histori të bukur ku dikush e gjen veten. Dua t’u jap forcë për të luftuar për dashurinë, e cila nuk është perfekte që në fillim, por bëhet e tillë me kalimin e kohës.”
Duke u ndalur te marrëdhënia me bashkëshortin e saj, Gjira tregon se nuk ka qenë xhelozia që ka ndikuar në mungesën e gjatë në muzikë, siç mund të jetë aluduar. “Edhe ky ka qenë frymëzim për t’u rikthyer, sepse unë nuk jam grua që mund të ma ndalësh gojën ose pasionin. Nuk e toleroj, nuk e pranoj.”
Tekstin dhe muzikën e këngës së re “On&Off” e ka shkruar vetë këngëtarja. “Ndërsa beat-in e ka bërë Fatjon Miftari, një producent i ri nga Kosova, që për momentin bën shumë hite të Ylli Limanit dhe Semi Jaupajt. Është djalë i talentuar. Kënga u punua brenda pak orësh sepse kimia mes nesh ishte shumë e mirë, e jashtëzakonshme. Gjë që është e vështirë për mua sepse jam pak e komplikuar, perfeksioniste ose siç thonë “e zeza e vetes”.”
E pyetur se çfarë vendi ze muzika në jetën e saj, Gjira përgjigjet: “Janë dy lloje këngëtarësh në lëminë e artit, ata që ushqehen nga arti dhe ata që e ushqejnë artin. Është dallim i madh mes krijuesit dhe intepretuesit. Ndaj ne largohemi dhe nuk shfaqemi vazhdimisht.”
/rtsh.al/