RTSH 24 Live

Europë

Rikthehen stuhitë në Itali, sërish alarm i kuq për përmbytje në disa provinca

20/05/2023

Rikthehen stuhitë në Itali, sërish alarm i kuq për përmbytje në disa provinca

Moti me shira të rëmbyeshëm është rikthyer  sërish në Emilia-Romagna, e cila tashmë është përmbytur për shkak të reshjeve të shumta që nga fillimi i javës.  

Në vetëm 36 orë ka rënë një sasi shiu e barabartë me sasinë që regjistrohet në këtë rajon për 6 muaj. 

Mijëra banorë janë evakuuar, pasi provincat e Bolonjës, Ferrara, Ravenna, Forlì-Cesena, Rimini rrezikohen nga përmbytjet si pasojë e vërshimit të lumenjve. 

Autoritetet kanë lëshuar alarm të kuq, pasi shumë shtëpi janë përmbytur përsëri dhe rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar shumë banorë. 
8000 njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe e kaluan gjatë natës në palestra apo hotele ku ishin ngritur strehimoret lokale. 

Qyteti i Lugos ka raportuar se po përfundonte rezervat ushqimore. “Ne e dimë që jeni të lodhur, të frikësuar dhe të shqetësuar. Gjendja e jashtëzakonshme nuk ka mbaruar. Ju lutemi ruani qetësinë dhe durimin”, u tha Këshilli i Qytetit në një postim në Facebook. 

Sipas mediave italiane 24 komuna janë të përmbytura, pasi të gjithë lumenjtë e qarkut kanë dalë jashtë shtratit. 

 

/ RTSH /