RTSH 24 Live

Kulturë

Rikthehen në Pogradec "Ditët e humorit Niko Nikolla"

22/02/2021

Rikthehen në Pogradec "Ditët e humorit Niko Nikolla"

Këtë të diel në Pogradec u shpall nga organizatorët Konkursi Mbarëkombëtar i Letërsisë Humoristike, një event ky i përvitshëm, i iniciuar në kuader të aktivitetit “Ditët e Humorit Niko Nikolla”. I ideuar nga Albanian Excellence, ky aktivitet është i dyti në rradhë, pas Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës, zhvilluar vitin e kaluar, nje aktivitet në të cilin morën pjesë 50 shtete të globit, duke futur për herë të parë Shqipërinë dhe Pogradecin, në hartën e karikaturës botërore.

Konkursi Mbarëkombëtar i Letërsisë Humoristike mbahet në një periudhë pandemie, por organizatorët mendojnë  se përmes tij do të rriten standarted e shkrimësisë humoristike dhe gjinive të saj, nga shkrimtarët e afirmuar dhe ata të rinj. Po sot u publikua juria, në të cilin bëjnë pjesë emra të rëndësishëm të artit dhe letërsisë në vend, si Alda Bardhyli, Vangjel Kozma, Zamira Kita, Daut Dauti, Eritan Kamolli, Rezar Xhaxhiu dhe Ilir Shyta.

Mbrëmja gala dhe çmimet e konkursit të Letërsisë Humoristike do jepen në muajin shtator. Emri emblematik i Niko Nikollës është përjetësuar tashmë në letrat shqipe, pa harruar kontributin e tij si kryeredaktori i revistës satirike “Hosteni”! Theksojmë se në faqet e kësaj reviste, dikur Dritëro Agolli guxoi dhe botoi romanin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Aktiviteti i sivjetshëm, mbështet nga Bashkia Pogradec dhe Qendra Kulturore e qytetit.