RTSH 24 Live

Sociale

Rikonstruktohen 43 banesa në Librazhd, përfitojnë kryesisht shtresat në nevojë dhe zonat e thella

25/02/2025

Rikonstruktohen 43 banesa në Librazhd, përfitojnë kryesisht shtresat në nevojë dhe zonat e thella

Programi i rikonstruktimit te banesave në Librazhd, u vjen në ndihmë shumë familjeve duke i përmirësuar kushtet e jetesës të banorëve në nevojë. Për çdo banesë në bazë të këtij projekti bëhet përzgjedhja e familjeve në nevojë nga administratorët duke e dërguar në bashkinë Librazhd. Familjet të cilat kanë përparësi mbeten, ato të  zonave të thella malore , Orenjë-Lunil-Përvallë-Polis.

Është një nga programet që u vjen në ndihmë shumë familjeve në Bashkinë Librazhd. Qëllimi i projektit është që të përmirësohen kushtet e jetesës për disa banorë që janë në nevojë”, u shpreh Xhemal Bozhiqi, inxhinieri, topograf, specialist në Bashkinë Librazhd.

Konkretisht këto familje janë ndihmuar në rikontruksionin e çative duke krijuar kushte që banesa të jetë pa lagështirë, dhe riparimi i tavaneve, pika të tjera të projektit janë edhe suvatimi i banesës, rivënia e dritareve dhe dyerve sipas kushteve dhe mundësisë.

Nëpërmjet këtij projekti realizohen punime ndërtimore me qëllim rikonstruksionin e objekteve ekzistuese. Për çdo banesë sipas këtij projekti bëhet përzgjedhja e familjeve në nevojë”, u shpreh Bozhiqi.

Ky projekt nga Fondet e Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Librazhd dhe Ministrin e Financave është kryer tashmë prej vitesh duke ju ardhur në ndihmë dhjetëra familje në zonat rurale.

/rtsh.al/