RTSH 24 Live

Kulturë

Rikonstruksioni i TKOB, mesazhet e dy kolosëve të skenës operistike botërore

13/09/2021

Rikonstruksioni i TKOB, mesazhet e dy kolosëve të skenës operistike botërore

Teatri Kombëtar i Operas, tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë pas 60 vitesh ka tashmë një pamje të re për artistët dhe artdashësit.

Teatri i Rilindur Kombëtar i Operas e Baletit ngre perden e skenës mbrëmjen e 15 shtatorit, ku do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot mesazhet e dy kolosëve të skenës operistike botërore, Ermonela Jaho e Placido Domingo të cilët do të jenë në “Grand Gala” mbrëmjen e së mërkurës.

“Jam shumë e lumtur që të marr pjesë në hapjen e Teatrit tonë Kombëtar të Operas dhe Baletit, mes artistëve të mi bashkëkombas dhe me pjesëmarrjen e legjendës së operas botërore, Placido Domingo. Një falenderim i madh për të gjithë ata breza artistësh që kontribuuan në themelimin dhe krijuan traditën e veçantë të këtij institucioni. Një falenderim i veçantë për të gjithë ata që ideuan e realizuan këtë projekt. Kur punojmë të gjithë së bashku drejt të njëjtit qëllim asgjë nuk është e pamundur, Ju pres të gjithëve në datën 15 në Teatrin e Operas dhe Baletit”, u shpreh Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare me famë botërore

Ndërsa tenori me famë botërore, Placido Domingo shprehu kënaqësinë e të ngjiturit në skenën e re pas rikonstruksionit të plotë mes kolegësh të mrekullueshëm.

“Të dashur miq në Tiranë. Jam i nderuar të këndoj në ceremoninë “Grand Gala “për inaugurimin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të Tiranës. Pas 5 vitesh, ky teatër më në fund do të vijë në jetë dhe do të rikthehet për të mirëpritur performancë koncertale opera dhe baleti. Është një gëzim për mua që të jem me ju, për këtë mbrëmje special me kolegë të mrekullueshëm. Shihemi më 15 shtator për t’a shikuar të gjithë së bashku skenën e re pas rikonstruksonit të plotë”, tha ai.

Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në lozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975.

Gjendja e përgjithshme e ndërtesës shfaqej e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë nuk ka patur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij.
Në godinën e ristrukturuar të TKOB ka më tepër hapësira për shfaqje, për personelin dhe publikun.