RTSH 24 Live

Ekonomi

Rihapet gara për aeroportin e Vlorës, Balluku: Shpallja e kompanisë fituese do të bëhet në mes të muajit janar 2021

23/11/2020

Rihapet gara për aeroportin e Vlorës, Balluku: Shpallja e kompanisë fituese do të bëhet në mes të muajit janar 2021

Rihapet gara ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. 
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një deklarate për mediat, njoftoi rihapjen e garës, e cila u ndërpre për shkak të pandemisë Covid-19, teksa bëri të ditur se afati për dorëzimin e ofertave nga ana e kompanive është deri në datën 23 dhjetor, ndërsa më pas do të bëhet vlerësimi i ofertave, që do të paraqiten. "Në 19 dhjetor të 2019-ës hapëm garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Më pas ngjarjes rrodhën ashtu siç ne  nuk do deshëm, pandemia, mbyllja jo vetëm e Shqipërisë, por e të gjithë botës dhe për më tepër aviacioni civil, fusha më e goditur nga kjo pandemi, na bën që të merrnim një vendim në ato momente të duhurin, bllokuam këtë proces, e ngrimë, për ta rihapur në një moment të dytë atëherë kur investitorët ndërkombëtar do të kishin interes për t’u futur në garë.
Ndoshta, për një moment të dytë, kur edhe institucionet financiare do kishin mundësi që të mbështesnin këtë projekt kaq të rëndësishëm dhe ambicioz, jo vetëm për Shqipërinë, padyshim, por për të gjithë rajonin, një shkallë më lartë në aviacionin civil. Tashmë ka ardhur koha që të rihapet kjo garë. Pas kërkesave të shumta që kemi pasur nga investitorët kemi vendosur që duke filluar nga 23 nëntori të hapim garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operim e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, e cila do të qëndrojë hapur edhe për 30 ditë, deri në 23 dhjetor të këtij viti," deklaroi Balluku.
Shpallja e kompanisë fituese do të bëhet në mes të muajit janar, të vitit 2021.