RTSH 24 Live

Aktualitet

Respektimi i standardit të shqipes në mediat audiovizive, AMA: Normat gjuhësore nuk zbatohen me përpikëri

23/06/2022

Respektimi i standardit të shqipes në mediat audiovizive, AMA: Normat gjuhësore nuk zbatohen me përpikëri

Mungesa e respektimit me përpikëri të normave gjuhësore, mungesa e përdorimit të germave “Ë” dhe “Ç”, Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA), komunikimi në zhargon në emisionet argëtuese, janë këto disa nga problematikat e evidentuara nga Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) gjatë monitorimit të respektimit të standardit të shqipes në mediat audiovizive.

Duke pranuar se ka patur përmirësim në këtë drejtim, sipas AMA-s, një tjetër problematikë e evidentuar është edhe përdorimi i panevojshëm i fjalëve të huaja.

Në transmetimet e OSHMA-ve të monitoruara ka kujdes për zbatim të standardit letrar të shkruar e të folur, por jo në nivelin e detyrimit dhe rolit që kanë mediat audiovizive për ruajtjen dhe përdorimin e gjuhës amtare në programet audiovizive; Përgjithësisht, gjuha e folur, në lajme dhe programe informative, veçanërisht në televizionet kombëtare, dëshmon për rritje të kujdesit ndaj drejtshqiptimit e komunikimit, por nuk respekton me përpikëri parimet, normat e kërkesat gjuhësore; Në programet me natyrë argëtuese janë identifikuar dhe komunikime në zhargon të moderatorëve me të ftuarit, si dialogje të rëndomta që hasen në mjedise të lirshme kafenesh apo mjedise të tjera publike dhe private; Gjatë gjithë periudhës së monitorimit, në të gjitha OSHMA-të, u vërejtën mjaft raste  të përdorimit të panevojshëm, nga gazetarët e moderatorët, të fjalëve, fjalive e ndërtimeve sintaksore të gjuhëve të huaja; Edhe pse ka përmirësime, në televizionet informative, në shkrimin e titrave, por dhe në televizione kombëtare, në titrat e edicioneve informative, vijon të mos përdoret germa  “Ë”, (e madhe) dhe “Ç” (e madhe). Kjo e fundit krijon dhe vështirësi e keqkuptime tek teleshikuesit. Në mjaft raste të tjera, në të  njëjtat televizione, sidomos në përkthimin e filmave e dokumentarëve, germat “Ë”, “ë”, “Ç”, “ç”, përdoren sipas normës drejtshkrimore”, thuhet në raport.

Sipas AMA-s këto nuk janë raste spontane, por dukuri që përsëriten, duke kërkuar respektimin e standardeve të gjuhës shqipe, si në të shkruar ashtu edhe në folur.

Rastet e mësipërme nuk janë spontane, por dukuri që përsëriten. Si të tilla ato cenojnë e vështirësojnë komunikimin me publikun, dëmtojnë e deformojnë gjuhën, ndikojnë negativisht sidomos në formimin gjuhësor të fëmijëve, përbëjnë shkelje të ligjit e të Kodit të Transmetimit të AMA-s. Transmetimet audiovizive kanë një rol dhe ndikim shumë të rëndësishëm tek ndjekësit, jo vetëm për informim, edukim dhe argëtim, por dhe për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Standardi i shqipes së folur dhe të shkruar është përgjegjësi redaksionale, si pjesë e shërbimit dhe angazhimit të tyre për përmbajtje sa më cilësore dhe të shumëllojshme. AMA do të vijojë monitorimin dhe vlerësimin e përmbajtjeve edhe sa i takon respektimit të kërkesave për shqipen e folur dhe të shkruar, me pritshmëri maksimale që të gjitha OSHMA-të do të ndjekin me seriozitet dhe profesionalizëm këto aspekte”, thuhet në deklaratën e AMA-s.

/rtsh.al/