Remitancat, paratë që emigrantët shqiptar dërgojnë në familjet e tyre kanë shënuar së fundi një rekord historik, shkruan ndër të tjera monitor.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e parë të vitit, dërgesat e emigrantëve arritën në 444 milionë euro.
Kjo është një rritje prej 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky nivel është 5.3% më i lartë edhe se janar-qershori i 2019-s, që deri tani mbante rekordin me 424 milionë euro.
Burime nga operatorët vendas të transferimit të parave thanë se Gjermania dhe Anglia janë korridore të reja, në raport me tradicionalet, dhe kanë një ecuri më të mirë në trendin e dërgimit të parave tek të afërmit e tyre në Shqipëri.
Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se popullsia shqiptare që jeton jashtë vendit sa vjen e po rritet, çka po mban në këmbë dhe remitancat.
Sipas Eurostat, në 2022 rreth 74 mijë shtetas shqiptarë (73,858) morën leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve është rritur me 34%.
Ndërkohë, kjo është shifra më e lartë e konstatuar që nga viti 2010.
Që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat më të hershme të Eurostat, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë gjithsej 832 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.
Kjo shifër është gati sa një e treta e popullsisë që raportohet se jeton në Shqipëri.
( Sipas Monitor )
/ rtsh /